Arrestimi i Mario Millosheviq nga Policia e Kosovës, Foto: FOS Media/ Uprava policije/Standard

KMDLNj viziton të arrestuarit e mbrëmshëm në lagjen Kalabria

Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njëriut (KMDLNj), në kuadër të mandatit për monitorimin e qendrave ku mbahen persona të privuar nga liria apo në mbajtje të dënimit, sot ka vizituar personat që u arrestuan mbrëmë në lagjen Kalabria.

Sipas KMDLNJ-së i ndaluari M. K 37 vjeç, ka deklaruar se është arrestuar në ora 18:00 në lagjen Kalabria dhe se nuk e ka kundërshtuar urdhrin e policisë duke dalë nga vetura me duar mbi kokë pas së cilës është shtrirë për toke dhe është prangosur.

Deklaron se afërsisht 1 orë, i prangosur është rrahur nga Policia e Kosovës – Njësia Speciale duke thënë se kanë qenë afërsisht 30 policë. Ai i ka thënë KMDLNJ-së me asgjë nuk e ka provokuar policinë për përdorim të forcës ndaj tij.

Gjithashtu ai ka thënë se sjelljet e policisë në stacionin policor kanë qenë korrekte e sidomos në Qendrën e Ndalimit ku nuk ka asnjë vërejtje. Është njoftuar për të drejtat që i takojnë, ka avokat dhe është marrë në pyetje nga hetuesit policorë të prani të avokatit.

Është kontrolluar nga mjeku dhe në rastin e pranimit është edhe raporti mjekësor.

“Gjatë vizitës shihen shenjat e përdorimit të forcës në fytyrë, shpinë, duar dhe këmbë. Shenjat janë të dukshme dhe si pasojë e përdorimit të forcës”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ po ashtu raporton se edhe P. GJ. 32 vjeç, shtetas i Malit të Zi ishte arrestuar me 18.07.2018 në ora 18: 00 në lagjen Kalabria. Ai i deklaroi KMDLNj – së se ndaj tij nuk ishte përdorur forcë, as gjatë arrestimit, as një stacionin policor e as në Qendër të Mbajtjes.

Ka angazhuar avokat dhe është marrë në pyetje në prani të avokatit. Familja e tij është lajmëruar për arrestimin. E vetmja vërejtje e tij ishte kërkesa që t’i lejohet përdorimi i barërave e që i ishin konfiskuar gjatë arrestimit.

KMDLNj vlerëson se sjellja e policëve në stacionin policorë dhe në Qendrën për Mbajtje ndaj të privuarve nga liria është në përputhje të plotë me ligjin dhe të drejtat e njeriut ndërkaq kërkon të hetohet nëse ndaj M. K gjatë arrestimit është përdorur forcë në kundërshtim me ligjin aq më parë që i arrestuari ka shenja të dukshme në trupin e tij si pasojë e përdorimit të forcës.

Në njoftim thuhet që për KMDLNj – në është me rëndësi të sqarohet periudha nga arrestimi e deri në dërgim në stacionin policor ngase kjo periudhë thuaja në të gjitha vizitat monitoruese deklarohet si kohë kur policia e përdorë forcën të cilën nuk e përdorë pastaj as në stacionin policorë e as në Qendrën e Mbajtjes.

Po ashtu në njoftim potencohet se për KMDLNj – në paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria sidoms kur përdoret forca ndaj të arrestuarve që janë të neutralizuar, me pranga në duar. KMDLNj e ripërsëritë kërkesën që të përmirësohen kushtet për stafin në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë duke ua ndërruar lokacionin./21Media