KMDLNJ: Ndërhyrje ‘Politike dhe Ndërkombëtare’ në Shërbimin Korrektues

Në raportin monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) për Qendrat Korrektuese në Kosovë u tha se ka mungesë të madhe të stafit të shërbimit korrektues.

KMDLNJ sot ka bërë publikimin e raportit monitorues transparenca dhe llogaridhënia si kusht për trajtim human të personave të privuar nga liria por edhe stafit korrektues.

Në raportin e KMDLNJ-së thuhet se është shqetësuese ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit, pasi që në dy vitet e ardhshme parashihet pensionimi i së paku 300 oficerëve korrektues.

“Në shkurt të vitit 2017 është hapur një konkurs për punësimin e 70 oficerëve korrektues të paraparë për Burgun për Siguri të Lartë dhe për Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Ky konkurs për shkaqe të panjohura ishte anuluar”, thuhet në raport.

Behxhet Shala, drejtor në KMDLNJ, tha se Shërbimi Korrektues në Kosovë është në gjendje të mirë nëse krahasohet me vendet e rajonit.

“Shërbimi Korrektues nëse krahasohet me vendet e rajonit është në gjende më të mirë, por në shërbim korrektues ka ende ndërhyrje politike dhe ndërhyrje ndërkombëtare”, tha Shala.

Ai poashtu shtoi se ndërhyrjet  politike dhe ndërkombëtare do ta pengojnë vazhdimin përpara të Qendrave Korrektuese.

Si problem jashtëzakonisht i rëndësishëm në raportin e KMDLNJ-së është edhe mungesa e një spitali për të burgosur në kuadër të SHKK që është një kërkesë e vazhdueshme e KMDLNJ-së.

Nga prezantimi i raportit të KMDLNJ-së për monitorimin e burgjeve të Kosovës. Foto: Kallxo.com

“Ky spital do t’i zbriste shpenzimet materiale, do të kontribuonte në rritjen e sigurisë duke angazhuar më pak njësinë përcjellëse, do ta zvogëlonte diskriminimin e trajtimit shëndetësor që tash është i theksuar” thuhet në raport.

Në raport është përmendur edhe buxheti i Shërbimit Korrektues i cili për vitin ka pasur rritje në krahasim me buxhetin e viti 2016.

“KMDLNJ vlersëon se buxheti vjetor i ndarë për SHKK nuk majftoi për të siguruar funksionalitet të plotë dhe qëndrueshmëri strategjike.  Qendrat nuk kanë mundësi as të ndërrojnë poçat elektrik sepse për to nuk kanë buxhet dhe për ta bërë këtë duhet marr pëlqim nga Qendra në Prishtinë” thuhet në Raport.

Në bazë të problemeve të identifikuara KMDLNJ ka rekomanduar që dhomat ku qëndrojnë të burgosurit të pajisen me mjete të domosdoshme, të ndërpritet ndarja e të dënuarve në baza etnike, të përmirësohen kushtet e punës për oficerët korrektues dhe stafin civil, SHKK të jetë më transparent në alokimin e mjeteve buxhetor si dhe disa rekomandime të tjera.