Shaqir Totaj

Klubi i Shaqir Totajt të ATK-së nuk i paguan tatimet

Shaqir Totaj, menaxher i Zyrës Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës, është akuzuar nga KB “Bashkimi” se nuk i ka paguar tatimet në ATK gjatë kohës sa ka qenë kryetar i klubit.

Këto akuza Klubi i basketbollit “Bashkimi” i ka paraqitur me anë të një komunikate për media në të cilën ka njoftuar se klubi ka borxhe mbi 220 mijë euro.

Sipas komunikatës së klubit “Bashkimi”, Shqair Totaj sa ka qenë kryetar i klubit KB “Bashkimi”, nuk i ka paguar detyrimet tatimore në ATK edhe pse ka qenë menaxher i saj.

“Klubi në gjashtë vitet e fundit nuk kishte deklaruar asnjë tatim në pagë dhe pensione të lojtarëve e shtabit teknik në ATK, edhe pse kryetari i atëhershëm i klubit, z. Totaj, gjatë asaj periudhe ishte menaxher në ATK”, thuhet në njoftimin e “Bashkimit.

Në njoftimin e KB Bashkimi thuhet se si rezultat i mos pagesës së tatimeve, borxhi i klubit ndaj ATK-së, është 55,543.00 euro.

“Bashkimi” po ashtu njofton se kur kryetari Totaj ishte larguar nga klubi kishte deklaruar se po e linte me rreth 40 mijë euro borxhe ndërsa borxhi total që është trashëguar te kryesia e re është 221 mijë euro apo më shumë se pesëfishi i deklaruar nga ish-kryetari Totaj

Shaqir Totaj është edhe menaxher rajonal i Administratës Tatimore të Kosovës në regjionin e Prizrenit regjion ky i cili është dashur të mbledhë edhe tatimet nga KB Bashkimi.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim nga Totaj për arsyet pse klubi i ka borxhe ATK-së dhe pse ATK nuk e ka arkëtuar këtë borxh.

Në një komunikim me KALLXO.com, Totaj ka thënë se do lëshojë një reagim për pretendimet e klubit ndërsa nuk është përgjigjur në thirrjet e tjera për ta sqaruar këtë situatë.

Para disa javëve, Totaj është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Prizren ndërsa në zgjedhjet për kryetar të komunës të vitit 2017 kishte qenë kandidat i kësaj partie për kreun e Prizrenit duke humbur garën në balotazh ndaj Mytaher Haskukës së Vetëvendosjes.