Asnjë nga 4 veturat e reja "Scoda" të Komunës së Kamenicës nuk janë në oborrin e Komunës - Foto: KALLXO.com

KKZ Shfrytëzon Veturat e Komunës pa Lejen e Kryetarit

Kryetari aktual i Kamenicës, Begzad Sinani, i pyetur rreth përdorimit të veturave zyrtare të Komunës nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) tha se ata nuk kanë të drejtë t’i përdorin ato.

Kryetari Sinani tha për KALLXO.com se nuk e di se kush ua ka dhënë këtë të drejtë atyre..

“Jo, jo. Nuk kanë leje nga Zyra e Kryetarit që të përdorin veturat zyrtare. Unë kam kërkuar nga KKZ që të më ftojë Valdete Daka dhe të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi, por ata s’i kanë ra mas kësaj pune, qe do të thotë ata s’kanë të drejtë ligjore me i përdorë sot automjetet zyrtare të Komunës”, tha Sinani për KALLXO.com.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e KKZ-së në Kamenicë, Agim Kastrati.

Ai tha që ka bërë kërkesë te kryetari por nuk ka marrë përgjigje.

“Deri dje kryetari apo ish kryetari (Begzad Sinani) ka refuzu me naj dhënë. Mirëpo, sot na i kemi 2 vetura në shërbim, që kemi arritë me i siguru përmes marrëveshjeve me drejtora, ish-drejtora, s’ka rëndësi”, tha Kastrati për KALLXO.com.

Edhe pse është kryetar i KKZ, ai thotë se nuk e di ku janë marrë çelësat e veturave.