Një ndërhyrje kirurgjike | Foto: Kardiokirurgjia

Kirurgët torakalë e ndalin grevën

Klinika e Kirurgjisë Torakale ka vendosur të heqë dorë nga greva në të cilën kishin hyrë muaj më parë.

Drejtori i kësaj Klinike Saudin Maliqi tha për KALLXO.com se ata kanë reflektuar pas miratimit të ligjit për paga dhe kanë vendosur t’i kthehen punës së përditshme.

“Është marrë një vendin që Klinika e Kirurgjisë Torakale nuk do të jetë pjesë e grevës së mëtutjeshme. Ne nuk është se jemi të kënaqur me pagën por duhet pasur parasysh edhe mundësitë buxhetore megjithatë më mirë është që është bë një ligj të rregullohet diçka se asgjë”, tha Maliqi.

Ai tha se kirurgët duhet të fokusohen që t’i rritin standardet profesionale.

“Nëse rritet rroga 100 përqind le të jemi 100 përqind kirurgë, si në punë si në rregull si në etikë si në qasje profesione”, tha ai.

Maliqi tha se puna në Klinikë do të vazhdojë normalisht me qëllimin që të kryhen operime në mënyrë që numri i referimeve jashtë vendit të jetë sa më i vogël.

Ai tha se pritet nga kirurgët që të punojnë me përkushtim ashtu që numri i operimeve të jetë aq sa është kërkesa nga pacientët.

Përderisa kirurgët torakalë kanë vendosur ta rifillojnë punën, kirurgët e përfaqësuar nga Arbër Morina po vazhdojnë grevën në kërkim të rrogave më të larta.