Këshilli Gjyqësor i Kosovës – Foto: KALLXO.com

KGJK i reagon avokatëve: Duam të vendosim rend shtëpiak në gjykata

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj grevës së avokatëve të Kosovës lidhur me urdhëresën e gjykatave që këtyre të fundit dhe palëve tjera t’iu kufizohet qasja në objektet e gjykatës pa leje paraprake.

Në shenjë proteste ndaj kësaj urdhërese, Oda e Avokatëve të Kosovës ka filluar grevë të përgjithshme.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikat thanë se vendosja e një regjimi të kufizuar të qasjes në objektet e Gjykatave nuk përbën një masë kufizuese të pa-arsyeshme, jo-proporcionale dhe diskriminuese, që pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në Gjykata.

“Si e tillë, masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër Gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë nëpër objektet e Gjykatave, dhe të pengojë komunikimin e pa-arsyeshëm ex-parte. Qasja e plotë, e çdokohshme dhe si rrjedhojë komunikimi i përhershëm dhe pa asnjë kufizim i avokatëve me gjyqtarët mund të ngrisë dyshime për diskutim nga ana e tyre të rasteve që avokatët përfaqësojnë dhe kësisoj dyshime rreth trajtimit nga ana e gjyqtarëve të të gjitha palëve në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anime dhe paragjykime, ashtu siç kërkohet me nenin 2 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë”, thuhet në njoftim.

Ata shtuan seështë e vetëkuptueshme, që masa kufizuese nuk vlen për zyrat apo hapësirat tjera të Gjykatave ku bëhet dorëzimi i shkresave dhe parashtresave gjyqësore.

Si përfundim, “KGJK, dëshiron të ftojë përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe gjithë komunitetin e avokatëve që të kenë parasysh detyrimet ligjore të avokatëve rreth përfaqësimit të palëve në procedurë gjyqësore dhe parimet e mishëruara në Kodin e Etikës Profesionale të Avokatit, në veçanti kërkesën e nenit 40 të Kodit që u kërkon avokatëve, në kryerjen e profesionit të tyre, të ruajnë autoritetin e gjykatave dhe të shprehë respektin e duhur ndaj tyre”.

Sot avokatët kanë mbajtur ditën e parë të grevës së tyre të përgjithshme, e cila ka bërë mosmbajtjen e shumë seancave.

https://kallxo.com/greva-e-avokateve-con-ne-deshtimin-e-shume-seancave-ne-gjakove/