KFOR sqaron prezencën e ushtarëve shqiptarë në veriun e Kosovës

Një grup i ushtarëve shqiptarë të KFOR-it është parë në Mitrovicën e Veriut gjatë ditës sotme ndërsa KFOR ka kërkuar që kjo ngjarje të mos konsiderohet jo normale.

Pas qarkullimit të kësaj video në media serbe, KFOR doli me sqarim duke thënë se nuk ka nevojë për panik dhe konfuzion.

“KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme. Në të vërtetë nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe frikë. Këtyre ditëve, një grup oficerëve të NATO-së, të shoqëruar nga KFOR-i, po zhvillon një aktivitet zbulimi nëpër Kosovë. Ata oficerë janë nga shtetet e ndryshme të NATO-së, përfshirë Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata theksuan se prezenca e këtyre ushtarëve nuk duhet të konsiderohet provokim.

“Aktiviteti përfshinë vizita nëpër vende të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë Mitrovicën dhe lokacione tjera në veri. Ky nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së, dhe prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it. KFOR-i vazhdon në mënyrë të paanshme t’i përkushtohet mandatit të OKB-së për ta mbrojtur tërë popullin në Kosovë, prandaj kur KFOR-i ushtron dhe lëviz nëpër Kosovë, të gjithë duhet të ndihen më të sigurt”, përfundon njoftimi.

https://kallxo.com/ushtaret-e-shqiperise-filmohen-ne-mitrovicen-e-veriut/

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se nënkoloneli, Nikoll Ndoi, ka bërë të ditur se janë 30 ushtarakë shqiptarë që shërbejnë në KFOR, duke shtuar se roli i tyre është në drejtori dhe degë kryesore të KFOR-it, duke e vlerësuar  një kontribut të jashtëzakonshëm.

 

https://kallxo.com/njihuni-me-ushtaret-e-shqiperise-qe-veprojne-ne-kosove/