Nxënës të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë – Foto: KALLXO.com

Kështu do t’i kompensojnë orët e grevës shkollat në Drenas

Pas shumë komunave që kanë vendosur për zëvendësimin e orëve të humbura, edhe Drenasi është munduar të gjejë një formë për to.

Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Tafil Halilaj, thotë për KALLXO.com se vendimin e ka marrë që shkollat të mbajnë mësim të shtunave dhe të shtyhet në fund viti shkollor.

“Ne kemi vendosur që të shtunën dhe të shtyhet në fund viti shkollor po sa zbatohet nga shkollat ajo është çështje tjetër, mirëpo ne jemi zotues të vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe kërkojmë nga shkollat që ta përfillin atë”, tha Halilaj.

Tutje ai theksoi se megjithatë vetëm pak shkolla e kanë respektuar deri më tani.

“Kemi pasur sukses pjesërisht, 10 shkolla kanë mbajtur, disa të tjera jo. Javën e kaluar s’kanë mbajtë asnjë, dy javët e kaluar janë mbajtë, por presim që të bëhet një zgjidhje”, shtoi Halilaj për KALLXO.com

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur më 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lërë në duar drejtorive komunale të Arsimit.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva trejavore e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.