Foto: Atdhe Mulla

Kështu do t’i kompensojë orët mësimore Hani i Elezit

Pasi Ministria e Arsimit ia la në duar DKA-ve formën e kompensimit të orëve të grevës, disa komuna kanë filluar të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

Komuna e Hanit të Elezit ka vendosur që atë ta bëjë përmes mbajtjes së mësimit në ditën e shtunë dhe ta shtyjë një javë vitin shkollor.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Menduh Vlashi.

“Ne ende s’e kemi definuar por besoj që jemi gati një marrëveshje që prej muajit qershor me u shty një javë viti shkollor dhe disa të shtune. Ne i kemi mbajtur dy të shtune, edhe tri po presim me i mbajtë edhe vitin shkollor që e shtyjmë mendoj se janë mjaftueshme”, tha Vlashi.

Përveç Hanit të Elezit, komunat që kanë gjetur zgjidhje për kompensimin e orëve janë: Fushë Kosova, Prizreni, Peja, Prishtina dhe Obiliqi.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur më 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lërë në duar drejtorive komunale të Arsimit.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva trejavëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.