Këshilltari i Pacollit: Nëse Daçiq hynë në Kosovë, do të arrestohet

Këshilltari i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj ka thënë se askush nga Beogradi nuk mund ta parandaloj aksionin e Policisë që po zhvillohet në veri të vendit.

Ai ka reaguar pas disa raportimeve të mediave serbe se ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë mund të hynë në Kosovë.

Në atë rast, Zyberaj ka thënë se Daçiq do të arrestohet.

“Në rast se do të hyjë në Kosovë, do të arrestohet”, ka thënë ai për KALLXO.com.

“Ivica Daçiq dhe askush në Beograd nuk kanë autoritet apo të drejtë të ndërhyjnë për të penguar ndonjë operacion normal të zbatimit të ligjit dhe askush nuk ka lejen e qeverisë së Kosovës për të hyrë dhe askush nuk mund të vizitojë ose të hyjë në Kosovë pa lejen e tillë”, ka shkruar Zyberaj në “Facebook”.

Ai ka paralajmëruar se do të parandalohet çdo veprim i cili shkel marrëveshjet e Brukselit mbi vizitat zyrtare.

“Çdo veprim që shkel marrëveshjen e Brukselit për vizitat zyrtare do të parandalohet. Beogradi të ndalojë histerinë nëpërmjet mjeteve propagandistike. Ky është një veprim i sundimit të ligjit në një vend normal”, ka thënë ai.

Ndryshe, që nga orët e para të mëngjesit një aksion i madh kundër kontrabandës po zhvillohet në veri të vendit.

KALLXO.com po raporton në vazhdimësi për këtë aksion, në të cilin deri më tani një polic ka mbetur i plagosur e disa arrestime janë bërë.

https://kallxo.com/pacolli-i-ben-thirrje-serbise-qe-te-mos-abuzoje-politikisht-me-operacionin-ne-veri/

.