Këshilltari i Kadri Veselit, Akuzohet për Shitje të Drogës te Ushtarët e KFOR-it

Emir Azemi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, është i akuzuar për shitje të drogës.

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ ka arritur të sigurojë një kopje të aktakuzës së  prokurorisë së Mitrovicës,  e cila pretendon se Emir Azemi me datë 11 prill 2006 ishte arrestuar nga policia, me dyshimin se u kishte shitur ushtarëve të KFOR-it 6 gramë marihuanë.

Në këtë aktakuzë të prokurorisë ndër të tjera saktësohet se ushtarët e KFOR-it e kishin identifikuar nga fotografitë Emir Azemin duke thënë se ai njihej me nofkën Toni.

Në dëshmi të tjera prokuroria pretendon se Azemi ishte përcjellë nga policë të antidrogës, të cilët e kishin vëzhguar atë gjatë komunikimit me ushtarët e KFOR-it.

Bazuar në këto dëshmi, Azemi  ishte mbajtur në arrest shtëpiak për një muaj pas arrestimit, dhe ndaj tij prokuroria kishte ngritur një aktakuzë për shitje narkotikësh.

Kur ishte liruar nga arresti shtëpiak Azemi kishte vazhduar karrierën e tij politike, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte garuar dhe ishte zgjedhur këshilltar i asamblesë komunave në listën e PDK-së.

Nga aty, më 22 prill të këtij viti Azemi ishte emëruar këshilltar i krye-kuvendarit të Kosovës, Kadri Veseli, në çështje që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.

Azemi i ka mohuar akuzat e prokurorisë duke theksuar se asnjëherë nuk ishte i njohur me nofkën Toni.

Madje ai pretendon se e tërë lënda e tij është bazuar në dëshmi të rreme të një polici i cili, sipas tij, ka të kaluar të dyshimtë kriminale.

Në ditën kur gazetarët e ‘ Drejtësia në Kosovë’  kërkuan sqarim për këtë aktakuzë nga zyra e kryetarit Veseli, ata u njoftuan se Emir Azemi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit.

Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, tha për ‘Drejtësia në Kosovës’ se kabineti i kryetarit Veseli nuk kishte qenë në dijeni se Azemi ishte duke u ndjekur penalisht për shitje droge.

“Emiri nga sot ka dhënë dorëheqje nga detyra e këshilltarit të jashtëm Arsyeja e kësaj dorëheqje është një informatë se ai ka një çështje të pambyllur në organet e drejtësisë dhe deri të sqarohet kjo çështje ai ka dhënë dorëheqje” tha Latifi.

Sipas Latifit, nëse kabineti do kishte pasur të dhëna se Azemi kishte çështje të hapur në gjykatë,  ai nuk do ishte përzgjedhur të jetë pjesë e kabinetit të Kadri Veselit.

Por për Emir Azemin çështja e arrestimit të tij ishte mbyllur në vitin 2006.

“Unë atëherë jam deklaruar i pafajshëm para gjykatës dhe besoj që atëherë është përfunduar ”, ka thënë Azemi për ‘Drejtësia në Kosovë’.

Ai madje pretendon se çështja penale ndaj tij është një akt i montuar.

“Atë ditë kam qenë duke shku me pa një film në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë. Në hyrje të qendrës më është kërkuar letërnjoftimi nga ushtarët e KFOR-it të cilët nuk më kanë leju të futem në qendër për shkak se nuk e kam pasur emrin në listë. Rreth një kilometër larg kësaj qendre nga një polic i cili tani është i dënuar,  jam akuzuar se i kam dhënë mariuhanë një ushtari të KFOR-it”, ka rrëfyer Azemi.

Zyrtarë të gjykatës Themelore të Mitrovicës kanë konfirmuar për ‘Drejtësia në Kosovë’ se lënda ndaj Azemit nuk ka përfunduar ashtu siç pretendon ai.

Në përgjigjen e tyre gjykata ndër të thuhet se “ekziston lënda penale e pakryer me numër 136/06 ndaj E.A dhe kjo lëndë  nga viti 2008 nuk është shqyrtuar për shkakun se e njëjta ka mbetur ne objektin e Gjykatës në Veri të Mitrovicës ku gjykatësit vendorë nuk kanë qasje”.

E Azemi pretendon se riaktualizimi i lëndës së tij pak javë pasi ai u emëruar këshilltar politik i Kadri Veselit mund të ketë ndonjë prapavijë.

“Unë kam qenë aktivist nga viti 2005, mund të ketë elemente që kjo të ketë qenë e inskenuar”, është shprehur tashmë ish këshilltari i Kadri Veselit.

E zyrtarët e Gjykatës së Mitrovicës nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur lënda ndaj Azemit do të trajtohet nga kjo gjykatë.