Këshilltari i Haradinajt: Takimi në Kompaninë Time - për 'Arsye Logjistike'

Pas raportimit të KALLXO.com se kompania e Gazmend Abrashit, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, është vendi ku do të mbyllet vizita e kryeministrit malazez me biznese, ai në përgjigjen e tij ka thënë se kjo është bërë për arsye logjistike dhe se shpenzimet do të mbulohen nga biznesi i tij.

“Takimi i kryeministrit malazez me komunitetin e biznesit, për arsye logjistike, organizative, hapësirës adekuate dhe të sigurisë, është përzgjedhur të organizohet në selinë e ‘Exclusive Group’ në zonën industriale si nikoqir”, ka thënë Abrashi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se këtu nuk ka asnjë konflikt interesi ngase kompania e tij nuk operon me asnjë aktivitet në Mal të Zi.

”Komplet shpenzimet e këtij takimi i mbulon ‘Exclusive Group’”, tha ai.

Abrashi shtoi se ndihen të nderuar që do të fasilitojnë takimin e kryeministrave me komunitetin e biznesit.

Në agjendën zyrtare të vizitës së Dushko Markoviqit në Kosovë thuhet se ai do të pritet nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

KALLXO.com raportoi se vizita e tij do të përmbyllet me vizitë në kompaninë e këshilltarit te Haradinajt.

http://kallxo.com/kryeministri-malazez-mbyll-viziten-ne-kompanine-e-keshilltarit-te-haradinajt/