Ramush Haradinaj e Avni Arifi. Foto: Facebook

Këshilltari i Haradinajt ‘përkthen’ kërkesat për heqjen e taksës

Një pjesëtar i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare dhe “disa qarqeve” në Prishtinë për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Avni Arifi, këshilltar i Haradinajt, në një postim në Facebook pak orë pasi një kërkesë të tillë e bëri sot edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e lidhi heqjen e taksës me idetë për ndarje të Kosovës.

“Nëse duam të lexojmë drejtë, Kosova mesazhin që ka marrë këto ditë ishte: “Hjekne tarifën se ndryshe spo ndahet Kosova”. Ky ishte mesazhi edhe nga Beogradi edhe nga shumë qarqe e fatkeqësisht edhe nga Prishtina, nga ata që janë të obliguar të respektojnë nenin 1 të kushtetutës së Republikës dhe neni 2.2 të po kësaj Kushtetute”, shkroi Arifi i cili së fundmi është dekretuar për Ambasador të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë se “Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, ndërsa neni 2.2 thotë se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.