Këshilli i Prindërve skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e orëve

Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur skeptik për zëvendësimin e orëve të humbura , pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ia barti sot përgjegjësinë DKA-ve.

Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti tha për KALLXO.com se janë të pajtimit që të zëvendësohen orët, por sipas tij bartja e përgjegjësive nuk do të rezultojë me sukses.

“Jam shumë skeptik që ky plan i ri do të realizohet me kompensim të orëve të humbura, sepse duke pasur parasysh gjendjen aktuale që në shumicën e komunave, DKA-të kanë dështuar në organizimin e zëvendësimit të orëve të të shtunave”, tha Reshiti.

Ai shtoi se do ta pranonin zgjatjen e vitit shkollor vetëm që orët e humbura të zëvendësohen.

Ne qysh me kohë kemi kërkuar zëvendësimin e orëve që nuk janë mbajtur dhe nëse kërkohet zgjatja e vitit shkollor ne e mirëpresim dhe jemi te gatshëm si këshill”, tha Reshiti për KALLXO.com

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

“Në pajtim me gjithë drejtorët e DKA-ve që të zbatohet udhëzimi administrativ që ka të bëjë me normativin dhe kalendarin e vitit shkollor, tash e tutje secili drejtor i DKA-së në bashkëpunim me kryetarin e komunës do të tentojnë të gjejnë formën më të mirë të kompensimit të orëve dhe pastaj të na informojnë ne si ministri”, kështu tha ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi pas një takimi të mbajtur gati tri orësh mes DKA-ve dhe SBAShK-ut.

Megjithatë, SBAShK-u para se të merrej ky vendim e kishte lënë mbledhjen, pasi që nuk u pajtuan me këtë formë të kompensimit të orëve.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Më 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e  vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.

Formula e zëvendësimit sipas vendimit të MAShT-it ishte që 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019, 5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019; dhe  (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit