Mbledhja e KGJK-së dhe KPK-së | Foto: KGJK

Këshilli Gjyqësor Reagon Për Votimin e Rekomandimeve për Aktivistët e Dënuar të VV-së

Pas miratimit të rekomandimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ndër të tjera kërkohet hetim i pavarur në rastin e aktivistëve të kësaj partie të dënuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës dhe hetimin e të gjithë personave në hierarkinë shtetërore, ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, thotë se ligji garanton mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mjetet juridike të cilat kanë të drejtë i shfrytëzojnë të gjitha palët në procedurë.

“Çdo tejkalim i autorizimeve kushtetuese dhe ligjore konsiderohet ndërhyrje në punën e gjyqësorit”, thuhet në reagim.

Tutje KGJK thotë se respektimi i pushtetit gjyqësor dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore është obligim për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, të nivelit arsimor, apo bartësve të funksioneve shtetërore.

“Me këtë rast, kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucion i cili ka nxjerrë Kushtetutën dhe Ligjet mbi bazën e të cilave funksionon sistemi gjyqësori që t’i respektojë ato dhe të ndihmojë sistemin gjyqësor për përmbushjen e mandatit për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

Sot edhe Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësim për kalimin në Kuvendin e Kosovës të rekomandimeve të Vetëvendosjes për aktivistët e dënuar të VV-së pa u shqyrtuar nga Komisioni për Legjislacion.

Paraprakisht deputetët e Kuvendit miratuan sot rekomandimet për aktivistët e dënuar të Vetëvendosjes dhe disa projektligje.

Këto janë rekomandimet e VV-së të votuara sot në kuvend:

  1. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 Gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas.
  2. Të hetohen dhe të gjenden përgjegjësit në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të involvuar për inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016 dhe për përndjekjen kriminale të aktivistëve të LVV për këtë rast.
  3. Të hetohen dhe të merren në përgjegjësi ligjore të gjithë personat përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të LVV dhe vdekjen e Astrit Deharit.