Këshilli Gjyqësor bëhet me kryesues të ri

Skender Çoçaj u zgjodh sot kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Për të parin e KGJK-së kandidaturën e tyre e kanë paraqitur kryesuesi paraprak i KGJK-së Nehat Idrizi si dhe anëtari i KGJK-së Skender Çoçaj.

Në mbledhjen e 213-të të mbajtur ditën e sotme të dy kandidatët patën mundësi që para anëtareve të këshillit të paraqesin plan programin e tyre duke shpalosur objektivat e tyre strategjike se si planifikojnë të udhëheqin me këshillin në rast të zgjedhjes së tyre në krye të këtij institucioni.

Nehat Idrizi i cili ishte kryetari paraprak i KGJK-së i cili edhe kësaj radhe po kandidonte edhe për një mandat tre vjeçar, para anëtareve prezantoi plan programin e tij, i cili tha se bazohet në nëntë pika nëpërmes të cilave planifikon ta udhëheq KGJK-në.

Objektivat e plan programit të tij, Idrizi tha se janë garantimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor, ngritja e përformancës, transparencës dhe llogaridhënies në Sistemin Gjyqësor, përmirësimi i sistemit të planifikimit dhe shpenzimit të buxhetit në sistemin gjyqësor, ngritja e kapaciteteve të funksioneve të brendshme të KGJK-së, përmirësimi i efikasitetit duke promovuar menaxhim më të mirë të lëndëve, avancimi i statusit të gjyqtareve dhe personelit administrative, ngritja e efikasitetit përmes përdorimit të teknologjisë informative në Gjykata, ngritja e besimit të publikut në sistemin gjyqësor si dhe përmirësimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Pas Nehat Idrizit edhe Skender Çoçaj e prezantoi plan programin e tij.

Duke pasur parasysh që sistemi gjyqësor në Kosovë është duke jetuar një tranzicion të vazhdueshëm Çoçaj deklaroi se është evidente se përpara ka sfida reale, serioze dhe të shumta por tha se është detyrë e KGJK-së që të sigurohet se gjykatat të jenë të pavarura, apolitike dhe të qasshme dhe profesionale që të respektojnë parimin e mos diskriminimit si dhe të drejtat e njeriut dhe të barazisë gjinore që garantohen me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.

“Vizioni im kryesor është se së bashku me ju anëtar të nderuar të KGJK-së që përmes debateve konstruktive dhe angazhimeve të përbashkëta të sigurojmë një Sistem Gjyqësor të pavarur, të drejtë, funksional dhe efikas në punën e tij, të qasshëm për të gjithë dhe llogaridhënës për punën e vetë që i përmbahet standardeve më të larta të ndershmërisë integritetit, kompetencës, profesionalizmit dhe transparencës me qëllim të rritjes së transparencës me qëllim të rritjes së besimit të publikut në Sistemin Gjyqësor dhe arritjes së standardeve me të larta europiane”, tha Çoçaj.

Për përmbushjen e këtij vizioni ai tha se do të mbështetet në disa objektiva siç janë transparenca, rritje e efikasitetit, llogaridhënies si dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional me mekanizmat ndërkombëtar dhe me shoqërinë civile.

Çoçaj tha se tani për tani çështja me urgjente është krijimi i Departamentit Special si dhe u zotua se nëse zgjidhet kryetar i KGJK-së, çdo Gjykatë do të bëj publikimin e gjitha vendimeve gjyqësore që qytetarët të kenë dijeni se sa punohet dhe se si punohet në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Ligjit për qasje në dokumentet publike.

Çoçaj premtoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë prioritet gjatë udhëheqjes së tij.

Pas prezantimit të plan programeve të të dy kandidatëve, anëtaret e këshillit votuan për zgjedhjen kryetarit të ri të KGJK-së.

Pas numërimit të votave u bë e ditur se Çoçaj e mundi kundër kandidatin Nehat Idrizi për një votë, derisa ky i fundit mori pesë vota.

Pas shpalljes së rezultateve të votimit, Nehat Idrizi ia uroi kryetarit të ri fitoren ndërsa ky i fundit i falënderoi anëtarët e këshillit për besimin.

Skënder Çoçaj tashmë kryesuesi i ri i KGJK-së ka qenë gjykatës në Gjykatën Themelore të Prizrenit si dhe njëherësh edhe nënkryetar i kësaj Gjykate.