Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Kërkon 38 Mijë Euro nga një Dekadë Jetë të Përbashkët

Pasi gjyqtari Faton Bajrami kishte kërkuar nga A. G. dhe përfaqësuesi i saj ligjor i saj Musli Abazi korrigjimin e kërkesë-padisë për ndarje të pasurisë së përbashkët me ish-bashkëshortin L. Rr, paditësja e ka bërë korrigjimin e kërkuar.

Në seancat e mëparshme të këtij gjykimi nga kërkesë- padia nuk ishte shumë e qartë nëse A. G. po kërkonte gjysmën e pasurisë së paluajtshme nga ish-burri i saj L. Rr., apo shumën materiale të gjysmës së pasurisë.

Në këtë seancë me korrigjimin e kërkesë- padisë tashmë A. G. po kërkon gjysmën e vlerës së parave të pasurisë së krijuar gjatë martesës dhe bashkëjetesës me L. Rr- gjithsej 37 mijë e 900 euro.

Në shumën e kërkuar është e përfshirë gjysma e vlerës materiale të banesës dhe sendeve tjera të paluajtshme.

Sipas kërkesë padisë pala paditëse konsideron se palët ndërgjyqësore gjatë jetës së përbashkët martesore kanë krijuar dhe shtuar pasurinë e tyre të përbashkët.

Në bazë të kërkesë- padisë, A. G. në krijimin dhe shtimin e pasurisë së përbashkët ka kontribuuar me pagën e vet për gjatë dhjetë vjetëve të bashkëjetesës dhe martesës.

Çmimi i banesës është vlerësuar gjithsej 52 mijë e 800 euro, gjersa vlera e përgjithshme e sendeve dhe orendive të përbashkëta së bashku me kredinë është vlerësuar në shumë prej 23 mijë eurove.

Paditësja A.G. kërkon gjysmën e shumës 75 mijë e 800 euro.

Në këtë seancë, si edhe në të kaluarën mungoi ishj-bashkëshorti i paditëses L. Rr dhe përfaqësuesi i tij ligjor Gani Hoxha.

Gjyqtari Faton Bajrami tha se i padituri dhe avokati Gani Hoxha e kanë pranuar ftesën dhe e kanë ditur se do të mbahet seanca, por nuk janë paraqitur në të.

Kur A. G. e kërkonte edhe gjysmën e banesës dhe pasurisë tjetër të palujtshme, ish-burri i saj L. Rr, kishte thënë se banesa nuk ishte në emër të tij.

Ai i kishte ofruar ish-gruas 1750 euro për marrëveshje.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të kërkimit të pasurisë.