Kërkon 1 Milion Euro Kompensim për Dëmin në Aksident

Mbi një milion euro është shuma që Nushe Loxhaj-Bicaj po kërkon përmes gjykatës nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”.

Këtë shumë ajo po e kërkon si kompensim për dëmin e pësuar në aksidentin e trafikut, pas të cilit ajo mbeti e paralizuar.

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Pejës, dega në Istog, në cilësi të provave u soll ekspertiza financiare e datës 15 shkurt të këtij viti, e përpiluar nga ekspertit gjyqësor financiar, Aziz Berisha nga Prishtina.

Po ashtu, si provë u soll edhe ekspertiza mjekësore e grupit të ekspertëve prej tre doktorëve, Armend Kërveshi neurokirurg, Kamber Zeriqi neurolog dhe Valbona Blakaj-Ramadani psikiatër.

Mirëpo, Jeton Berisha, avokat i kompanisë “Kosova e Re” tha se ka kundërshtuar ekspertizën e mjekëve dhe se ka kërkuar praninë e tyre në seancën e radhës për të dëgjuar deklaratat e tyre.

“Ekspertiza sipas mendimit tonë është mbështetur në disa dokumente që për ne janë diskutabile për shkak se nuk janë hartuar në përputhje me formën që e parashohin ligjet, përkatësisht udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Duke qenë se ekspertiza është bazuar në ato raporte ne kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar prej gjykatës që të vinë ekspertët në gjykatë dhe ta japin mendimin e tyre”, tha Berisha për KALLXO.com.

Ai tha se ka kundërshtuar edhe mospërputhjen e raporteve të shpenzimeve dhe ekzaminimeve të kryera. Sipas tij ato janë të papranueshme.

Avokati Berisha tha se kompania që e përfaqëson është e gatshme të paguajë kompensimin real për Nushe Loxhaj-Bicajn.

“Deklaruam edhe në seancë edhe prapë deklarojmë se ne si kompani jemi të gatshëm t’i ofrojmë kompensimin real që njeh praktika gjyqësore për të cilën ka mbulesë siguruese dhe si çdo kompani tjetër edhe ne ofrojmë të njëjtën shumë. Mirëpo nuk do pranojmë të mbulojmë kërkesa të cilat përveç që janë në kundërshtim me ligjin nuk kanë mbulesë të sigurisë dhe të njëjtat janë marrë jashtë procedurave ligjore, përkatësisht janë marrë në kundërshtim me udhëzimin administrativ mbi referimin e rasteve jashtë Qendrës së Klinikës Universitare”, tha ai pas seancës për KALLXO.com.

Ndërsa, Besnik Nikqi, avokati i paditëses, tha se në këtë seancë ishte paraparë të mbahej fjala përfundimtare dhe të përfundonte shqyrtimi kryesor i gjykimit.

Mirëpo, me propozimin që të deklarohen edhe ekspertët mjekësorë, sipas tij, pala e paditur po synon të prolongojë sa më shumë procedurat.

“Pretendimet janë mbi një milion euro. Mirëpo sot ndodhi ajo që mund të pritej duke pasë parasysh sjelljen e të paditurës ‘Kosova e Re’ që të prolongohet e të prolongohet tutje procedura. Është propozuar që seanca të shtyhet dhe të ftohen në seancën e radhës prapë ekspertët mjekësorë për t’u deklaruar lidhur me pasojat dhe lidhjen kauzale të pasojave me aksidentin”, tha Nikqi.

Avokati tregoi se klientja e tij si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur e paralizuar dhe vazhdimisht është nën përkujdesje mjekësore, për çka familja shpenzon shuma të mëdha parash.

Ndërsa, pala e paditur deri më tani palës së dëmtuar i ka paguar vetëm 1,500 euro.

Aksidenti në fjalë ka ndodhur më 27 janar të vitit 2016, në Prishtinë.

Në seancën e radhës u propozuan të deklarohen ekspertët e aktuaristikës dhe komunikacionit rrugor, Naser Nimonaj dhe ekspertja e arkitekturës Albalina Taraku. Po ashtu, në seancën e ardhshme do deklarohen edhe ekspertët mjeko-ligjorë, neurokirurgu Armend Kerveshi dhe neurologu Kamber Zeqiraj.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 8 maj.