Kërkohet verifikimi i llogarive bankare për rimbursim nga kuponët fiskal

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë qytetarët që aplikojnë për rimbursim nga kuponët fiskal dhe ata që kanë aplikuar për TM2 2018 (tre mujorin e dytë) që t’i verifikojnë llogaritë e tyre bankare.

Kjo pasi që ATK ka pranuar informacione nga qytetarët se për TM1 2018, tek disa qytetarë nuk janë rimbursuar mjetet në llogaritë e tyre pasi që kanë ndryshuar politikat e brendshme brenda bankës.

“Me qëllim që rimbursimi i mjeteve të bëhet pa problem, ju lutem sigurohuni që llogaria juaj bankare mund të kreditohet sidomos kur është fjala për rimbursim nga kuponët fiskal”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në njoftim thuhet që Administrata Tatimore nuk do të merr asnjë përgjegjësi nëse llogaria bankare është e mbyllur apo jo funksionale për çfarëdo arsye që bankat mund të deklarojnë.

“Ne ju garantojmë/informojmë se problemi nuk qëndron te verifikimi i pikove, mirëpo tek llogaria juaj bankare”, përfundon njoftimi.