Foto: Kallxo.com

Kërkohet unifikim i subjekteve politike 'për interesa të vendit'

Zafir Berisha, deputet i NISMA-s ka kërkuar nga subjektet politike që të unifikojnë angazhimin e forcave politike për interesin e vendit.

Mos liberalizimi i vizave mos pranimi në Interpol sipas Berishës nuk është çështje e asnjë qeverie por e gjithë forcave politike e gjithë qytetarëve.

“Ne duhet me marr mësim me mendu pak ma shumë për perspektivën e vendit tonë dhe për interesin e qytetarëve. Nuk duhet të bimë viktimë si shoqëri e shtet edhe nëse nuk liberalizohen vizat”, tha ai.

“Presidenti me idetë dhe veprimet e tij shoqërinë tonë pe vënë në pozita të palakueshme”, tha ai.

Berisha ka përmendur edhe “kërcënimet” që vijnë nga kryeministrja e Serbisë duke përmendur ushtrinë, forcën dhe luftën.

“Mendoj se i takon të kaluarës por nuk jam i mendimit që këtë me llogaritë si deklaratë të momentit por mendoj se karshi këtyre kërcënimeve shteti duhet me pas qëndrime të përbashkëta dhe është momenti i fundit që forcat politike në raport me situatat që ndodhet Kosova të bashkohen e të ndërtojnë platformë”, tha ai.

Edhe Islam Pacolli nga AKR u ka bërë ftesë të gjithë liderëve politik të bëjnë unifikimin dhe të dalim nga ky kolaps.

“Edhe opozita edhe pozita është përgjegjëse për dështimin e Kosovës. Nëse dikush ka me dështuar kemi me dështuar të gjithë. Duhet të jemi unik. Hiqni interesat e ngushta politike”, tha Pacolli.