Protesta para Rektoratit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Kërkohet suspendimi i profesorit për të cilin pretendohet se ngacmoi një studente

Organizata për rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot organizoi një protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të kërkuar mosavancimin e profesorit universitar të Fakultetit të Mjekësisë, i cili u akuzua së fundmi për ngacmim seksual.

Protestuesit kërkuan gjithashtu që të suspendohet ky profesor deri në zbardhjen e dyshimeve që janë ngritur ndaj tij, në rastin e falsifikimit të nënshkrimit të një profesoreshe, përvetësimit të pronës intelektuale të ish-asistentes së tij, Albena Reshitaj, dhe për ngacmimin seksual, si dhe që në rast të vërtetimit të këtyre pretendimeve, kërkuan përjashtimin e profesorit nga UP-ja.

Studentja e Universitetit të Prishtinës, Donika Hoti, tha se tubimi para Rektoratit të UP-së po mbahet kundër profesorit Milaim Sejdini, i cili pritet të avancohet në gradën e profesorit të rregullt.

Ajo tha se ndaj këtij profesori janë ngritur tri akuza deri tani: për plagjiaturë, për falsifikim dhe për ngacmim seksual ndaj një studenteje specializante.

“Bëhet fjalë për falsifikimin e një nënshkrimi të një profesoreshe nga Tirana. Nënshkrimi i së cilës propozonte avancimin e tij në pozitën që mban ai sot. Denoncimi i dytë ka të bëjë me plagjiaturë, të cilin e ka ngritur ish-asistentja e tij, Albena Reshitaj, plagjiaturë e cila lidhet gjithashtu me titullin aktual të profesorit. Si dhe denoncimi i tretë që ka të bëjë me ngacmim seksual”, ka thënë studentja.

Rron Gjinovci nga ORCA tha se kallëzimi për ngacmim seksual është bërë para 105 ditëve nga dita e sotme dhe se ky kallëzim është përcjellë nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë për në UP dhe më pas në Policinë e Kosovës.

“Problemi është se ky profesor ende ka qasje te studentet e tjera që janë të rrezikuara. Kemi ardhë me pyet se cila është masa që ata e kanë ndërmarrë për rastin e para dy vjetëve për plagjiaturë, për falsifikim edhe për ngacmime seksuale. Kush është ky person kaq i fuqishëm që s’po e njihka askush? Apo ky është sistemi seksist këtu në universitet që e mbron burrin abuzues ndaj grave viktima”, ka thënë Gjinovci.

Ndërkaq, Jeta Xharra nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) tha se studentja e ka raportuar rastin në Polici në korrik të këtij viti dhe që prej asaj dite, viktima nuk është informuar nëse kjo lëndë i është dhënë prokurorit.

Ajo theksoi se sipas informacioneve që posedon, as kjo palë e as ajo e para dy viteve nuk janë ftuar prej Prokurorisë për t’i informuar rreth zhvillimeve në rastin e tyre.

“Në rastin e çikës që ka raportu para një viti, Policia ka kërku prova edhe ajo na tregoi që natyrisht që nuk ka mujtë me marrë telefonin me incizu, se nuk e ka ditë çka ka me ndodhë. Tash kena me nisë me ju thënë krejt studenteve, telefonat krejt lëshut sa herë që të jeni në ligjërata edhe të keni punë me profesorë. Telefonat lëshutë se policia ndryshe s’po merrka masa”, ka thënë Xharra.

Palët që kanë raportuar këto raste nuk janë anonime, shtoi ajo. Madje sipas Xharrës, familjarët e tyre po vijnë në UP për të pyetur se çka është duke ndodhur me rastin e familjareve të tyre, por nuk po u jepet përgjigje as nga UP-ja, as nga Prokuroria dhe as nga Policia.

Protestuesit thanë se do të protestojnë pa pushim, derisa rasti i këtij profesori universitar të adresohet sipas kërkesave të tyre dhe sipas procedurave statutare e ligjore.

Avokati i profesorit universitar, Durim Osmanaj sa i përket protestës që u zhvillua sot, ka thënë për KALLXO.com se “njerëzit kanë të drejtë të bëjnë protesta, por sa kanë bazë kërkesat e tyre ajo është çështje tjetër”.

Osmanaj tha se nuk është i informuar që ekziston një deklaratë e denoncueses në Policinë e Kosovës, që implikon klientin e tij.

“Që nuk ka hetime edhe që zyrtarisht nuk ka akuzë qysh po pretendohet atë e di. E çka është folë e tek është folë nuk e di.”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të konsiderohen kërkesat që janë bërë në këtë protestë, avokati Osmanaj theksoi se kjo gjë nuk do të ndodhë dhe se për këto pretendime tashmë kanë paraqitur padi dhe ankesë.

“Jo more çfarë të konsiderumit. Për çfarë arsye? Për shpifje të personave të caktuar me jep dorëheqje? Pse është bë një shpifje e krijohet një gjykim popullor për të, me jep dorëheqje? Asnjë bazë nuk e ka. As nuk ka falsifikim të nënshkrimit. As nuk ka plagjiaturë e as nuk ka ndonjë vepër penale. Zotnia është i pastër si loti. Këto për mendimin tonë janë shpifje. Ka insinuata këtu, pse me jep dorëheqje?”, përfundoi Osmanaj.