Kërkohet shkarkimi i ministrit Rikalo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu gjatë interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj ka kërkuar që rezolutës t’i shtohet  pika për shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

“Duhet t’i shtohet pika që të shkarkohet ministri Rikalo. Shkarkimi do të duhej të ishte hapi i parë”, tha Aliu.

Kryministri Haradinaj është thirrur në interpelancë nga grupi parlamentar i LDK-së në lidhje me vendimet e Nenad Rikallos për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Aliu u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e bindur që Rikalo do të jetë ministër që do të aplikoj politika në favor të Serbisë.

“Ne mund të paraqitemi se nuk po ndodhë asgjë, ministria nuk është duke bërë një diskriminim të vogël në terren por direkt po mbron interesat e Serbisë. A po integrohen serbët lokal me politikat e Rikalos, jo, përkundrazi politikat e tij po i dezintegrojnë. Programi i tij për veriun, ka fonde të ndara në veçanti vetëm për veriun, në anën tjetër kur kemi të bëjmë me kompani që marrin grante, kush janë kompani, janë kompani që importojnë makineri nga Serbia”, theksoi Aliu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Ministria e Bujqësisë po vihet në mbrojtje të prodhuesve të Serbisë.

“Nuk do të duhej të tolerohet politika e tij e dyfishtë e Listës Serbe. Ata ta marrin buxhetin, nuk të njohin dhe kaq. Nëse nuk ndërtojmë mekanizma që i ndalojmë këto, atëherë me buxhetin e Kosovës do të bëhej ndarje edhe më e madhe ndëretnike”, përfundoi Aliu.