Kërkohet Precizimi i Aktakuzës për Zyrtarët e Akreditimit

Trupi gjykues i dha 15 ditë afat prokurorit të Prokurorisë Speciale Abdurrahim Islami për precizimin e aktakuzës në rastin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Precizimi i aktakuzës iu kërkua prokurorit, pasi Ibrahim Dobruna, avokati i të akuzuarit Naim Braha më 20 mars iu drejtua trupit gjykues me një urdhëresë në të cilën kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj të mbrojturit të tij me arsyetimin se aktakuza është vjetërsuar.

Sipas Dobrunës, vjetërsimi ka ndodhur pasi janë bërë pesë vjet nga nisja e procedurave të këtij procesi gjyqësor.

Përveç dërgimit të shkresës, edhe në seancë Ibrahim Dobruna edhe në seancë e kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës.

”I propozoi trupit gjykues të marrë aktgjykim refuzues, sepse është arritur parashkrimi i saj”, tha Dobruna.

Avokati Ramë Gashi që në këtë proces gjyqësor mbron Armend Mujën, kërkoi precizim të aktakuzës duke thënë se qëllimi i tij është shpallja e pafajshme e Mujës dhe jo lirimi i tij nga vjetërsimi i lëndës.

“Është e domosdoshme që prokuroria t’ia qartësojë gjykatës kohën e kryerjes së veprës penale, ku mendon që është bërë veprim inkriminues për klientin tim, përveç kësaj qëllimi im në këtë lëndë është  që klienti im të del si i pafajshëm  e jo të hidhet lënda si e parashkruar”, tha avokati Gashi.

Por Bajram Tmava kërkoi që të mos zhvillohet kurrfarë procedure pa u sqaruar çështja e vjetërsimit.

”Nuk dëshiroj asnjë veprim procedural pa u sqarua qasja e parashkrimit absolut”, tha Tmava.

Prokurori Avdyrrahim Islami kërkoi t’i jepet kohë shtesë për precizimin e aktakuzës.

”Më jepni një afat shtesë sa i përket çështjes, edhe pse konsideroj që nuk ka pengesë që të vazhdojmë procedurën”, tha Islami.

Pas një mbledhjeje të shkurtër trupi gjykues me aktvendim aprovoi propozimin e mbrojtësve dhe urdhëroi qe brenda pesëmbëdhjetë ditëve prokurori special të bëjë precizimin e aktakuzës duke caktuar në mënyrë të saktë veprimet e të akuzuarve.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa i akuzuari i katërt Naim Braha akuzohet për veprën penale të dhënies se ryshfetit.

Në kohën për të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

http://kallxo.com/basri-muja-me-kerkoi-para/

http://kallxo.com/avni-mazreku-basri-muja-kerkoi-tia-punesoj-gruan-ne-kolegj/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri