Kërkohet paraburgim për farmacistin që dyshohet se mbante barna me afat të skaduar

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar se ka ndaluar të dyshuarin B.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ka kërkuar paraburgim për të, pasi që i njëjti ka vënë në qarkullim një sasi të konsiderueshme të barërave pas datës së skadimit.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, më 22 shkurt 2019, në komunën e Kamenicës, në barnatoren ‘’Greta Pharm’’, pas kontrollimit nga Inspektorati Farmaceutik – Ministria e Shëndetësisë, u konstatua se i dyshuari B.K., ka vënë në qarkullim një sasi të konsiderueshme të barërave pas datës së skadimit, të cilat janë të dëmshme për shëndet”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se i dyshuari, në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari farmaceutike, në atë mënyrë që edhe përkundër asaj që i njëjti me profesion është ekonomist, pa kualifikim adekuat profesional ka ofruar shërbime farmaceutike.

Në këtë mënyrë, dyshohet të ketë kryer veprat penale, ‘’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘’Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com raportoi sot se në fshatin Rogaqicë të Kamenicës, dje njësitë policore në bashkëveprim me inspektorët farmaceutik, kanë inspektuar një barnatore e cila nuk posedonte licencë për punë.

Sipas policisë, nga ana e inspektorëve farmaceutik janë konfiskuar 600 lloje barnash në vlerë rreth 6000-7000 €. https://kallxo.com/kamenice-i-konfiskohen-barnat-farmacise-pa-licence/