Kërkohet kujdes me zyrtarët e AKI-së në Projektligjin për Paga

Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka kërkuar kujdes në paraqitjen e pozitave të punës në Ligjin për Paga.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar kërkesën e AKI-së në lidhje me përfshirjen e tyre në Projektligjin për Paga në Sektorin Publik.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se nga AKI është kërkuar që në shqyrtimin e këtij projektligjit të ketë kujdes në trajtimin e tyre.

Sipas Musliut, ata nuk kanë kërkuar rritje të pagave por vetëm kujdes në mos deshifrimin e tyre apo edhe të punës që bëjnë.

“Ne sot në mbledhjen e rregullt për AKI-në, e kemi trajtuar kërkesën e tyre ku kanë kërkuar që të këtë kujdes në pozitat menaxheriale dhe të pozitave tjera . Kjo është thjeshtë një kuantitet dhe në të gjitha vendet e botës, agjencitë e tilla trajtohen më ligje te veçanta dhe nuk duhet të deshifrohen pozitat e tyre. Çdo rrezik që parasheh deshifrimin e pozitave menaxheriale dhe pozitat e tjera brenda AKI-së, nuk guxojnë të bien ndesh me ligjet në fuqi. Ata kanë kërkuar të kenë kujdes në rangimin në listën për paga”, tha ajo.

Musliu ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës që sipas saj nuk është shqetësuese.

“ Gjendja në veri është stabile dhe nuk ka rrezikshmëri të lartë. Shqetësuese janë vetëm lajmi se veturat duhet të qarkullojnë pa targa, por do të rregullohet kjo çështje”, deklaroi Musliu.