Foto: Kallxo.com

Kërkohet ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin për therje me thikë

Gjykimi i të akuzuarit Ehat Berisha për therje me thikë të Hysni Currit, është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Besnik Haxhijanuzi, kërkoi nga gjykata që klientit të tij t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik.

“Unë e vlerësoj se klienti im nuk është i denjë për t’u gjykuar, sepse i njëjti ka shenja depresioni e ankthi, e poashtu komunikimi me të është pothuajse i pamundur”, tha avokati Haxhijanuzi në seancën e sotme të gjykimit në Gjykatën e Gjakovës.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi as prokurori Ramiz Buzhala.

Ndërkaq trupit gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani, i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, e vlerësoi se të akuzuarit duhet t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik e pastaj të caktohet data e mbajtjes së seancës gjyqësore.

Paraprakisht avokati Besnik Haxhijanuzi kishte dorëzuar disa shkresa nga reparti i Psikiatrisë i Spitalit të Gjakovës “Isa Grezda” lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ehat Berisha po akuzohet nga Prokuroria se ka sulmuar të dëmtuarin Hysni Currin në vendin e tij të punës.

https://kallxo.com/aktakuze-per-therjen-me-thike-ne-stacionin-e-autobuseve-ne-gjakove/

Sipas aktakuzës, Ehat Berisha, në shtator të vitit të kaluar, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore Hysni Currit derisa ai ka qenë duke punuar si roje në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Hysni Curri në cilësinë e rojës së stacionit i kishte thënë Ehat Berishës që të largohet, ndërsa i akuzuari Berisha kishte nxjerrë thikën me gjatësi 12.5 cm dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

https://kallxo.com/gjakove-i-akuzuari-per-therje-me-thike-e-quan-gjykatesin-amator/