I akuzuari Skender Bislimi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Ekspertizë Psikologjike për të Akuzuarin për Krime Lufte

Mbrojtja e Skender Bislimit, të akuzuarit për krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë, nuk e ka kundërshtuar aktakuzën me arsyetimin se dëshiron një gjykim sa më të shkurtër.

Megjithatë, Miro Delloviq, avokati i Bislimit propozoi ekzaminim psikiatrik të të mbrojturit të tij.

“Jam i sigurt që ka probleme psikologjike dhe nuk dua që të flas më shumë lidhur me këtë”, tha avokati Delloviq.

Delloviq më pas tha se ka propozuar tre dëshmitarë të mbrojtjes.

“Ne kemi propozuar tre dëshmitarë të cilët do të tregojnë se ku ka qenë i akuzuari gjatë kohës së luftës”, tha Delloviq.

Bislimi akuzohet për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë, ndërsa ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Në fjalën e tij hyrëse prokurori Charles Hardaway tha se Bislimi është përfshirë në maltretimin e më shumë se dyzet shqiptarëve të Kosovës.

“Skender Bislimi, në bashkëkryerje me të paktën 10 persona tjerë duke vepruar si pjesëtar i forcave të armatosura serbe, policë rezervë dhe paraushtarakë ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve meshkuj shqiptarë të Kosovës” ,tha Hardaway.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Krimet e pretenduara nga prokurori janë kundërshtuar nga avokatët.

Në fjalën e tij avokati Miro Delloviq tha se klienti i tij është i pafajshëm.

“Klienti im nuk ka gisht në krimet e pretenduara”, theksoi Delloviq.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

http://kallxo.com/akuzuar-per-krime-lufte-skender-bislimi-del-para-gjykates/

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufta-ndaj-te-ekstraduarit-nga-bosnja/