Kërkohet drejtësi për masakrën e Dubravës

Kuvendi i Kosovës sot pati një seancë më ndryshe se herave të tjera, atë të 20-vjetorit të masakrës së Dubravës, e cila nisi me një minutë heshtje dhe përfundoi me kërkesa të deputetëve.

I pari që mori fjalën në këtë seancë ishte njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre dhe deputet i PDK-së, Nait Hasani.

Hasani para të pranishmëve tha se kanë kaluar 12 vite që kur Shoqata e të Burgosurve të Kosovësm ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Pejës dhe ende s’është bërë asgjë për zbardhjen e këtij rasti.

“Askush deri më sot nuk e ka carë kokën për burgun e Durbavës, asnjë Qeveri e jona, s’ka bërë asgjë kanë heshtur të gjithë me qëllim apo pa qëllim, askush nuk dinë kush ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të heshtin për këtë masakër, këtë se dimë ne por e dimë së të gjithë nuk kanë bërë asgjë që të zbardhet kjo masakër në burg”, tha Hasani.

“Për 12 vite u hesht dhe ky kallëzim penal dhe kërkoi nga ministri i Drejtësisë që të japë shpjegim pse u hesht ky kallëzim penal i bërë nga Shoqata e të Burgosurve Politik në prokurorinë e Pejës dhe nga kush u hesht, kush ka ndikuar, për çfarë qëllimi”, shtoi ai, ku në fund të fjalës së tij  kërkoi nga organet e drejtësisë, që të ngrihet aktakuzë për kriminelët serbë.

Pas tij fjalën e mori deputeti i opoztës nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili po ashtu është i mbijetuar i masakrës së Dubravës.

Aliu para deputetëve tha se nuk duhet t’i presin ndërkombëtarët për zbardhjen e kësaj masakre, por instucionet vendore ta bëjnë një gjë të tillë.

“As ndërkombëtarët e as ne nuk e bëmë punën që duhej bërë edhe përkundër dëshmive dhe fakteve. Nuk u bë aktakuza dhe kjo bie në përgjegjësi të shtetit dhe autoriteteve ndërkombëtare që të dyja mund të fajësojnë njëra tjetrën dhe sot ne nuk duhet t’i presim ata por të bëjmë punën tonë”, tha Aliu.

Tutje në foltore mori fjalën edhe deputeti tjetër i mbijetuar i kësaj masakre, Rasim Selmanaj.

Ai pati një kërkesë më ndryshe nga dy deputetët e tjerë, ku tha se bashkësia ndërkombëtare t’i ndëshkojë ose t’i shpallë heronj kriminelët e Serbisë

“Masakra në Dubravë në rend të parë paraqet krim kundër njerëzimit. Por, moszbardhja e këtij rasti është dëshpëruese. Tani, kriminelët e Serbisë, bashkësia ndërkombëtare, ose t’i ndëshkojë, ose t’i shpallë heronj sepse sipas Serbisë ata kanë varrë terrositet shqiptar”, tha deputeti i AAK-së.

Pasi i shprehën rrëfimet e tyre personale në këtë ngjarje, radha i erdhi deputetëve të partive të tjera.

Në emër të Nismës Socialdemokratë foli Bilall Sherifi i cili tha se kurrë nuk është vonë që të zbardhen krimet serbe në Kosovë.

“Dola këtu për të theksuar se të jemi vonuar dhe të jetë vonë janë dy gjëra krejt të ndryshme, unë besoj që se pranoj dhe as ju nuk e pranoni të konstatojmë se ndjeka e krimeve është bërë vonë, asnjëherë s’bëhet vonë”, tha Sherifi.

Ndërsa në emër të LDK-së foli deputetja Mirjeta Kalldura.

Ajo tha se kjo masakër ishte organizuar direkt nga shteti serb.

“Është një vepër kriminale e organizuar direkt nga shteti serb dhe s’mund të cilësohet ndryshe, në mënyrë të organizuar e kanë bërë që të kryhet në mënyrë më mizore të vrahen dhe të mbijetuarit të përjetojnë krimin e pa përshkueshëm”, tha Kalludra.

Krejt në fund fjala i takoi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili edhe në këtë seancë tregoi për iniciativën e tij, pra themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e kryera serbe në Kosovë.

Ai tha se më këtë tribunal është mundësia që të vërtetohet se shteti i Kosovës nuk bënë vetëm vajtime por edhe është duke kërkuar përgjegjësi instuticionale.

“A është e nevojshme që shteti i Kosovës vetëm të vajtojë apo të japë një mesazh se ne nuk vajtojmë, e të flasim e të sjellim vetëm fakte të cilat janë të dijshme, apo t’i japim një mesazh që ne nuk vajtojmë, ne nuk jemi institut i statistikave mi numëru plagët tona, por veprojmë institucionalitsht edhe kemi mi drejtu orientimet tona po ashtu në atë drejtim”, tha Veseli.

“Deri më 2015 fotografitë e vëna nga familjarët para Kuvendit kanë qëndruar kot në tela dhe Kuvendi as që është marrë me to. Sot po mundemi të flasim të  identifikojmë dhe është në nderin e institucioneve që ta drejtojmë gishtin kah Serbia dhe të marrim masa që nuk na bëjnë në shoqëri vajtuese e përkujtuese por na bëjnë një shtet veprues”, shtoi Veseli.

Para 20 vjetësh në Burgun e Dubravës, ishin vrarë e masakruar mbi 150 të burgosur shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe, ndërsa 300 të burgosur të tjerë kanë arritur t’i shpëtojnë kësaj masakre.