Kërkohet burgim i përjetshëm për vrasësin e Valbona Ndrecajt dhe vajzës 9 vjeçare

Prokuroria e shtetit dhe mbrojtësi i palës se dëmtuar kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Pjetër Ndrecaj, i dënuar me 24 vite nga Gjykata Themelore e Gjakovës për vrasjen e Valbona Ndrecajt (Gruas së tij) dhe vajzës 9 vjeçare.

I dënuari për vrasjen e gruas dhe vajzës nga gjykata e shkallës së parë, Pjetër Ndrecaj kërkoi nga Gjykata e Apelit t`i ulet dënimi prej 24 viteve, pasi siç u shpreh ai: “I kam 4 fëmijë jashtë, ata kanë nevojë për mua”.

“Kush vret fëmiun e vet! Unë veq këtu po dëgjoj. Dhe dënimin e kemi nënshkru për 18 vite dhe mendu qashtu më kanë premtu. Unë mundem me kërku edhe burgim të përjetshëm. Sepse pala e dëmtuar jam unë këtu se i kam humb dy anëtarë të familjes. E vërtetë është që unë kam gjuajt ndaj vëllait Valbonës, dhe vajza s`ka qenë fare në korridor”, ishin fjalët e të dënuarit nga shkalla e parë Pjetër Ndrecaj.

Avokatja e të dënuarit nga shkalla e parë Pjetër Ndrecaj, Fehmije  Zhubi para trupit gjykues i përbërë nga gjykatësit Hava Haliti, Xhevdet Abazi, Fillim Skoro, tha se mbetet në tërësi pranë ankesës së parashtruar Gjykatës se Apelit.

“Gjykata Themelore  në Gjakove nuk i ka vlerësuar benefitet për zbutjet e dënimit. Dhe kërkoj nga trupi gjykues që mos të hyn në ndikim të mediave. Por, pasi t`i vlerësoj  të gjitha rrethanat lehtësuese të vendos në mënyrë ligjore dhe t`i  jap një dënim më të but të akuzuarit tim”, tha avokatja Zhubi.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.

Shkaku i fillimit të konfliktit mes viktimës dhe Pjetër Ndrecajt ishin pesë eurot e gjetura në rrugë nga djali i saj të cilat kishin shkaktuar konflikt mes të birit dhe djalit të kunatit, i cili pretendonte se parat e gjetura ishin të tijat.

Sipas Prokurorisë Pjetër Ndrecaj ia kishte kthyer ato para djalit të vëllait, veprim ky që ishte pritur si ofendim nga Valbona Ndrecaj e cila ishte fjalosur me burrin e saj, fjalosje kjo e cila më pas kishte eskaluar në sulmin fizik.

Çifti Ndrecaj jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Çifti në fjalë kishte probleme edhe në të kaluarën dhe për këtë Pjetër Ndrecajt me 21 janar të këtij viti ju shtuan edhe një vjet e tetë muaj burgim pasi u gjet fajtorë për rrahjen e ish-bashkëshortes, tashmë të ndjerës Valbona Ndrecaj.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për rastin e vrasjes së Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj Pjetër Ndrecaj mund ti gjeni duke klikuar në LINK

 

31 Janar 2019 - 11:57

Kallxo 31/01/2019 - 11:57
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend