Konferenca | Foto: KALLXO.com

Kërkohen mënyra për ta lidhur arsimin me ekonominë

Në një konferencë të organizuar në Prishtinë, u kërkuan gjetjet e mënyrave për ta lidhur arsimin me ekonominë.

Kosovo United States Alumni dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë organizuan një konferencë për fuqizimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve te Arsimit të Lartë të Kosovës, Qeverisë dhe sektorit privat.

Qëllimi i kësaj konference ishte adresimi i mungesës së hallkës së bashkëpunimit në mes të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe ekonomisë.

Profesori Jason Lane nga Universiteti i New York-ut në këtë konferencë foli për universitetet dhe kolegjet private si shtytëse të zhvillimit ekonomik.

“Ne duhet të përfshijmë studentët në inovacion, në shpikje, në hulumtim dhe të mësojnë nga ajo përvojë”, tha Lane.

Ai tha se duhet të kërkohen rrugë që inovacioni dhe ekonomia të lidhen me arsimin.

“Ne mendojmë për atë se si të përforcojmë hallkën mes inovacionit dhe edukimit. Dikush mund të zbulojë mënyra të reja si të përforcojë lidhjen mes ekonomisë dhe arsimit”, tha profesori Lane.

Kjo lidhje sipas profesorit amerikan mund të shtojë vendet e opunës.

“Nga perspektiva e një shteti kjo mund të rezultojë me zhvillim me të mirë dhe rritje te vendeve të punës. Por kjo nuk mund te bëhet pa mbështetjen qeveritare”, tha Lane.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delaëie tha se Kosova ka arritur shumë si vend i pavarur.

Ai i konsideroi të mençur studentët kosovarë, por tha se atyre duhet t’u krijohen kushte.

“Studentët Kosovarë janë shumë të mençur, punojnë aq shumë, por kanë pasur pak telashe për mënyrën se si bëhet mësimdhënia në shtetet e jashtme. Duhet të bëjmë një përgatitje më të mirë në shkollat fillore dhe ato të mesme”, tha Delawie.

Eset Sahiti, zëvendësministër i arsimit tha se arsimi i lartë duhet t’u paraprijë ndryshimeve.

“Arsimi i lartë duhet t’u paraprijë ndryshimeve në vendin e punës. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm në garantimin e kushteve të duhura për aftësim praktik”, tha Sahiti.