Kërkohen Hetime për Zhvendosjet në Shipitullë

Ende pa u bërë vlerësimi final i shtëpive në fshatin Shipitullë, ku do të bëhet zgjerimi i mihjeve nga ana e KEK-ut dhe Ministria e Mjedisit, banorët e kësaj ane kanë drejtuar ankesa në Prokurorinë e Shtetit.

Një ankesë e tillë i është drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit. Atij i është kërkuar të nisë hetime për procesin e zhvendosjeve të këtij fshati.

“Kërkojmë nga ju të hetoni ecurinë e procesit të zhvendosjes – shpronësimit të fshatit Shipitullë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përkatësisht kompaninë vlerësuese ‘RePlan’, përfaqësues i të cilës është Vigan Behluli”, thuhet në kërkesën e bërë nga Saim Krasniqi, banor i fshatit.

Në shkresën drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Krasniqi thotë se kompania vlerësuese e përzgjedhur nga KEK-u po i stimulon ndërtimet ilegale në këtë zonë.

Sipas tyre, “RePlan”, me përfaqësues Vigan Behluli, ka kërkuar me ngulm nga Qeveria e Kosovës që ta miratojë datën 15.07.2015 si datë përfundimtare kur do të incizohet pasuria e përgjithshme e banorëve e ashtuquajtur si datë e prerjes, duke zgjatur afatin për gjysmë viti. Kjo zgjatje e afatit, sipas tyre, i fut në vlerësim edhe shumë shtëpi të ndërtuara në mënyrë ilegale.

“Gjatë kësaj kohe kanë vërshuar ndërtimet spekulative nga njerëz jobanorë të fshatit dhe jobanues të lagjes tonë. Ku shumica prej tyre janë shtëpi njëkatëshe dhe sipas vlerësuesit, në këtë rast z. Vigan Behluli – ‘Replan’, është vlerësuar një shtëpi e ndërtuar në ketë kohë në vlerë shumë më të lartë sesa një shtëpi e banueshme dhe e ndërtuar prej vitesh”, thuhet më tutje në letrën dërguar Kryeprokurorit.

Në këtë shkresë, Krasniqi ka dhënë shembuj konkretë se si kjo kompani e përzgjedhur nga KEK-u i ka përkrahur ndërtimet ilegale të bëra nga banorë jorezidentë të këtij fshati.

“Dyshimet tona të forta janë se kompania “RePlan” ka bërë vlerësimin e shtëpive banuese si ne vijim: Një shtëpi njëkatëshe e pabanuar (100 m2), e cila është ndërtuar gjatë vitit 2015 është vlerësuar 24,000 euro përderisa një shtëpi e banuar dhe dykatëshe (200 m2), e ndërtuar para vitit 2010, është vlerësuar vetëm 30,000 euro”, thuhet në shkresën e Krasniqit.

KALLXO.com e ka kontaktuar të apostrofuarin në shkresën e banorëve të Shipitullës, Vigan Behlulin.

“Nuk kam koment. Ky është proces shumë transparent. Është kompani ndërkombëtare që ka zhvillu edhe shumë zhvendosje të tjera dhe për këtë nuk kam koment”, ka thënë Behluli.

Ai tha se procesi është ende në zhvillim e sipër dhe se deri më tani kompania e ka dorëzuar draftin e raportit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, sepse është proces që ka nevojë të aprovohet edhe nga Ministria.

“Deri më tani nuk është paguar kurgjo hiç. Ato janë në proces e sipër. Informatat që ata i kanë bërë janë të përsëritshme dhe nuk korrespondojnë me gjendjen faktike në terren dhe me ofertat të cilat janë përgatitë… Ofertat nuk mundem me i tregu pasi që është një proces që ende është duke u zhvillu. Nuk janë publike”, tha Behluli.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, thotë se ka kohë që KEK-u ka bërë kallëzim penal për mosveprim dhe shkelje të ligjeve në fuqi lidhur me zonën e interesit të veçantë që e përfshin edhe fshatin Shipitullë.

Ai i ka shpjeguar procedurat që ka ndjekur KEK-u për zhvendosjen e banorëve të kësaj zone.

“Kjo pjesë në bazë të Planit Kryesor Xehetar është e paraparë për zgjerim të aktiviteteve minerare dhe KEK-u ka filluar procedurat e shpronësimit para 3 viteve. E kemi kontraktuar operatorin ekonomik ‘Re-Plan’ për përgatitjen e Planit të Veprimit për Zhvendosje duke u bazuar në Kornizat e Politikës për Zhvendosje si standardet më të mira dhe avancuara lidhur me shpronësimet/zhvendosjet ku për herë të parë po aprovohen në vendin tonë dhe regjion”, tha zëdhënësi i KEK-ut.

Thotë se vlerësimi është bërë në mënyrë profesionale.

“Konsiderojmë se të gjitha vlerësimet janë bërë me standardet më të larta ndërkombëtare dhe vlerësues të licencuar”, tha zëdhënësi i KEK-ut.

Sipas tij, zvarritja e zhvendosjeve po e rrezikon veprimtarinë e KEK-ut.

“Është e domosdoshme të theksohet se në këtë zonë janë ndalur për momentin aktivitetet minerare duke rrezikuar furnizimin me qymyr dhe furnizimin me energji elektrike për vendin tonë”, tha ai.

Emisioni “Jeta në Kosovë” në fund të vitit të kaluar ka hulumtuar për zhvendosjet e bëra në Hade.