KEK fsheh kontratën e Arben Gjukajt

Bordi i KEK-u kishte thënë se përmes shpalljes së konkursit për drejtor menaxhues po tentojnë t’i shmang shkeljet ligjore. Por, kur KALLXO.com ka kërkuar qasje në kontratën e drejtorit menaxhues, Bordi i kësaj ndërmarrje ia ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se kontratat janë konfidenciale dhe KEK nuk ka autorizim t’i zbuloj ato.

“Kontrata e punës është një marrëveshje mes punëtorit dhe punëdhënësit dhe si e tillë është personale për secilin punëtorë”, thuhet në përgjigjen e Skender Bucollit, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun.

Sipas tyre kontrata e Drejtorit Menaxhues të KEK, Arben Gjukajt është për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve publike dhe është e aprovuar nga bordi paraprak sipas mandatit.

“Kontratat janë konfidenciale dhe KEK nuk ka autorizim për zbulimin e të njëjtave”, thuhet në përgjigjen e Bucollit për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Arben Gjukajn për ta pyetur nëse ekziston ndonjë marrëveshje mes tij dhe KEK-ut për mos publikimin e kontratës por ai ka thënë që nuk e di saktë nëse ka ndonjë pjesë ku ndalohet publikimi i kontratës.

Po ashtu Gjukaj ka thënë që është i gatshëm për ta publikuar se kontrata nuk është ndonjë sekret i madh.

“Po (jam i gatshëm për ta publikuar), se nuk është ndonjë sekret i madh”, ka thënë Gjukaj për KALLXO.com.

KEK ka shpallur konkurs me 4 dhe 6 prill të vitit 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.

MZhE ka thënë se fillimisht duhet t’i ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

“BD të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.

Faruk Hajrizi, kryesuesi i Bordit të KEK-ut ka thënë për KALLXO.com se përmes këtij konkursi po tentohej të kthehej ligjshmëria duke iu referuar parregullsive ligjore qofshin ato në kontrata apo në ushtrimin e funksionit në pozitat e shpallura me konkurs.

“Bordi (në pajtueshmëri të plotë) është i përkushtuar që çdo parregullsi ligjore të kthej në ligjshmëri (qofshin ato në kontrata apo në ushtrimin e funksionit) dhe është i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike. Prandaj, vendimi për shpalljen e konkursit për pozitat e lart cekura është marrë mbi këtë bazë dhe ka për qëllim që për pozitat e lartcekura të korporatës të ofrojë mundësinë e konkurrencës për të gjithë kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret profesionale të kërkuara në konkurs”, thuhet në përgjigjen e Hajrizit për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar nga KEK që të ketë qasje në parregullsitë ligjore qofshin në kontrata apo në ushtrimin e funksionit në pozitat e shpallura me konkurs, por nuk ka marrë përgjigje për këtë.

Me 24 dhe me 28 maj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka anuluar konkursin për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës i cili ishte shpallur me 4 dhe 6 prill 2018.