Punetoret e larguar nga KEDS - 11.12.2018 - FOTO KALLXO

KEDS nuk lejon kthimin e punëtorëve në punë, pavarësisht vendimit të gjykatës

Punëtorët e larguar nga KEDS, kanë tentuar të kthehen në vendet e tyre të punës të larguar padrejtësisht rreth dy vite më parë, mirëpo një gjë e tillë nuk u lejua nga menaxhmenti.

Kryesindikalisti i punëtorëve të KEDS-it, Fehmi Pajaziti, ka kërkuar nga punëtoret që të kenë durim duke bërë apel tek institucionet relevante që të marrin veprime mbi menaxhmentin e KEDS-it.

“Këtu ka punëtor që i ka mbi 40 vite me përvojë punë, prandaj bëjë apel tek institucionet relevante që vendimi i nxjerrë përmes mekanizmave përkatës të bëjë të zbatueshëm kthimin e punëtorëve në vendin e tyre të punës. Ju kuptojmë që 2 vjet s`keni pagë por bëjë apel tek qeveria që të mos na detyroj që nesër të marrim veprime sindikale”, tha ai.

KALLXO.com transmetoi direkt protestën e punëtorëve të larguar nga puna nga KEDS e të cilët Gjykata i ka kthyer në punë: LINK

Kjo deklaratë e tij u prit me frustrim nga punëtorët të cilët tentonin që të hynin në objektin e KEDS-it, ata vazhdimisht insistonin që t`u lejohet hyrja dhe me ta të bisedojë dikush nga menaxhmenti.

Pajaziti tha se me rastin e largimit nga puna të këtyre punëtorëve janë shkelur ligjet.

“ Pritni keni pritë që dy vite, e di që jeni lodhë, por tash nuk mund të shkatërrojmë gjithçka këtu. Në kohën e privatizimin kompania ka kaluar në distribucionin KEDS, dhe në atë kontratë shkruan se punëtorët me kontrata të përhershme do të trajtohen sipas ligjeve të aplikueshme edhe pse afati ka kaluar, prandaj bëjë apel tek institucionet që të reflektojnë në këtë rast”, tha ai.

Në anën tjetër KEDS ka reaguar përmes një njoftimi për media.

“KEDS njofton se sa i përket protestës së sotme dhe kërkesës së punëtorëve për kthim në punë, KEDS njofton se rasti ende është në proces gjyqësor. Në këto rrethana kompania nuk mund të komentojë pasi nuk dëshiron që në asnjë rrethanë të interferojë në proces”, thuhet në njoftim.

 

Distribucioni i KEDS-it para dy vite ka larguar nga puna rreth 100 punëtorë, mirëpo për kthimin në punë të këtyre punëtorëve ka vendosur Gjykata e Apelit.