Ilustrim

KEDS jep sqarime për situatën me energji elektrike

KEDS ka njoftuar se situata me energji elektrike vazhdon të jetë  jo-stabile që nga e mërkura.

Sipas njoftimit të tyre, sistemi energjetik po ballafaqohet me prodhim të pakët vendor i bazuar vetëm në dy blloqe.

“KEDS/KESCO dëshiron të sqarojë publikun që situata me energji elektrike vazhdon të jetë jo-stabile që nga e mërkura. Edhe pse per momentin nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, ende sistemi energjetik ballafaqohet me prodhim të pakët vendor i bazuar në vetëm dy blloqe, A4 dhe B2, si dhe i varur nga importi i cili vazhdon të mbulojë rreth 50% të konsumit.Pas hyrjes së bllokut A4 në prodhim, për një kohë të shkurtër Blloku A3 del nga prodhimin ne mënyrë të paplanifikuar, derisa Blloku B1 planifikohet të kthehet në prodhim ne ditët e fundit të dhjetorit”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Në këtë rast, KEDS ka fajësuar edhe vjedhjen e energjisë elektrike që sipas njoftimit, po e vështirëson situatën dhe po krijon ngarkesa më shumë se sa sistemi mund të përballojë.

“Duke pasur parasysh që furnizimi me energji elektrike në Kosovë vazhdon të varet nga prodhimi vendor, dhe ai këtyre ditëve nuk mbulon as gjysmën e konsumit, e gjithë pjesa tjetër është duke u siguruar nga importi, që nga e mërkura kur blloqet janë jashtë pune.

Edhe pse KEDS/KESCO vazhdon të importojë konstant që nga e mërkura rreth 400 MW/h, në vlerë rreth 120 euro për MW, kjo sasi kur konsumi rritet dukshëm nuk është e mjaftueshme. Edhe më shume këtë situatë e vështirëson vjedhja e energjisë elektrike që fatkeqësisht është shumë e lartë në disa pjesë të Kosovës dhe si pasojë kjo i shkakton sistemit energjetik ngarkesa më shumë se sa sistemi mund të përballojë”, është thënë në këtë njoftim.

Tutje, thuhet se “KEDS ka hyrë në vitin e 6-të të operimit. Të gjitha të hyrat financiare janë investuar dhe kanë mbetur në Kosovë. Pra Kosova, dhe në këtë rast konsumatorët kanë përfituar”.

“Rreth 120 milionë euro janë investuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Me qindra mijë konsumatorë veçse kanë përfituar direkt. Investimet po vazhdojnë edhe me fuqishëm gjatë vitit 2018. Kjo dëshmon se KEDS/KESCO është këtu për të krijuar partneritet me të gjithë, në mënyrë që te ecim përpara”, thuhet në kumtesen e KEDS-it.

Lidhur me reduktimet me energji elektrike,ditë më parë ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka quajtur zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

“I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta. Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë”, u shpreh kryeministri.

Sipas Haradinaj, drejtues të KEK dhe KEDS e kanë për obligim dhe janë të thirrur të sigurojnë energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Nuk pranojmë asgjë më pak!”, shkroi kreu i Qeverisë.