KEDS: Era po shkakton prishje në rrjetin elektrik

Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se era e fortë ka shkaktuar telashe në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike.

Në një njoftim, KEDS ka thënë se gjendja më e rënd është në rajonet e Pejës dhe Prishtinës.

“Situata është më e rëndë në rajonet e Pejës, Prishtinës dhe Gjakovës. Ekipet e KEDS-it janë në terren duke bërë maksimumin që prishjet të sanohen sa më shpejtë”, thuhet në njoftim.

Sipas KEDS, deri më tani janë shkaktuar rreth 30 prishje.

Kompania ka bërë thirrje qytetarëve që çdo prishje në rrjet ta lajmërojnë atë.

“Ka shumë shtylla të thyera dhe përçues të këputur, gjë që e bën intervenimin më të vështirë, sidomos në zonat e thella malore. Por, ekipet e KEDS janë të vendosura t’i sanojnë të gjitha prishjet. Konsumatorët luten që nëse e shohin ndonjë avari në rrjet të lajmërojnë menjëherë kompaninë”, përfundon njoftimi i KEDS.