Foto: KALLXO.com

KDI: Kuvendi nuk diskutoi mjaftueshëm për dialogun me Serbinë

Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar tryezën “Si të bëhet më efektive mbikëqyrja parlamentare ndaj dialogut Kosovë – Serbi?”, në një diskutim me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Violeta Haxholli nga KDI, poashtu prezantoi edhe raportin e trajtimit të dialogut Kosovë-Serbi në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit që e lamë pas.

Haxholli tha se nga të gjeturat ka dalur se ky dialog është diskutuar më shumë në sesionin vjeshtor sesa në atë pranveror të vitit 2018.

“Kjo ka ardhur si rezultat i intensifikimit të deklaratave në opinionin publik se nevojitet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ku Kosova është gati të bëjë kompromise, si dhe nevojën për krijumin e nje grupi gjithëpërfshirës për negocim”, tha Haxholli.

Ajo shtoi se Kuvendi u vonua për trajtim të fazës së fundit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi ka filluar në qershor të vitit 2017 në nivel presidentësh por Kuvendi seancën për këtë diskutim e mbajti tek pas një viti në 2018”, tha Haxholli. Po ashtu ajo tha se nga 13 interpelanca sa janë mbajtur gjatë vitit të kaluar, vetëm një ka qenë për dialogun.

“Përgjatë vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 15 rezoluta, prej të cilave tri ishin për dialogun”, shtoi Haxholli.

Ndërsa, në komisionet parlamentare dialogu Kosovë-Serbi më së shumti është diskutuar në Komisionin për Punë të Jashtme.

Deputetja e LDK-së dhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani nuk u pajtua me të gjeturat, pasi sipas saj dialogu është diskutuar në çdo seancë duke lënë anash “shumë çështje të rëndësishme për qytetarët”.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se për këtë temë duhet të ketë unitet politik.

Por me të nuk u pajtua deputeti i opozitës, Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, pasi sipas tij delegacioni i ri shtetëror është zgjedhur me shumicë të votave në Kuvend.

“Një delegacion me shumicë të votave mund të raportojë kur të dojë dhe çfarë të dojë. Ne jemi për unitet por smund ta quajmë këtë unitet kur delegacioni është zgjedhur me shumicë dhe kështu nuk do të ketë ndonjë ndryshim në dialog”, tha Aliu.

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i tha Aliut se opozita ka refuzuar të jetë pjesë e platformës për Dialogun.

“Ne kemi bërë thirrje për unitet por opozita ka thënë një herë zgjedhjet pastaj votimi i platformës, nuk është që nuk kemi kërkuar për unitet”, tha Sherifi.

Kurse, Aida Dërguti nga PSD tha se Kuvendi për herë të parë ka marrë pergjegjësi për dialogun.

“Mendoj që u kriju një hapësirë që parlamenti të luaj një rol më të rëndësishëm në këtë fazë sepse jemi ne që duhet të vendosim si parlament”, tha ajo.