Foto: KALLXO.com

KDI kërkon hetime për 53 milionëshin qeverisë për Bechtel - Enka

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që prokuroria të fillojë sa më shpejt hetimet lidhur me kontratën e Qeverisë me Bechtel-Enkan.

Kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i kontratës me Bechtel-Enka për autostradën prishtinë- Hani i Elezit, KDI ka publikuar analizën për autostadën Prishtinë- Hani i Elezit, të cilën e ka quajtur ‘penalltia 53 milionëshe’.

Analiza bazohet në dokumentet të cilat KDI thotë se i janë dhënë nga Ministria e Infrastrukturës.

Sipas KDI-së, nga 11 qershori i këtij viti kur edhe janë adresuar kërkesat për qasje në dokumente publike, KDI-së i është dhënë qasje e pjesshme në dokumente, sidomos në ato që arsyetojnë borxhin 53 milionësh ndaj kompanisë Bechtel Enka.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI, ka thënë se fillimisht ministri Mujota kishte nënshkruar kontratën në gjatë kohës sa ka qenë “ministër në ikje” duke hyrë në detyrime kontraktuale me Bechtel Enka-n pa kërkesa të qarta të Qeverisë, dhe pa plan të pagesave konform kapaciteteve buxhetore të Qeverisë.

Diana Metushi, KDI

‘’Ministria e Infrastrukturës kishte përgatitur një draft aneks kontratë, të cilën nuk e kishte implementuar kurrë, ku parashihet inkorporimi i dokumenteve të munguara dhe kostoja e shtyrjes së afatit për 347 ditë në vlerën prej 14.78 milionëve (me TVSH), apo rreth 1 milion euro në muaj (Pa TVSH). Në  Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit të datës 20.04.2018, që i drejtohet Zyrës së Kryeministrit nga
Ministri Pal Lekaj, i publikuar nga Kallxo.com, thuhet se si rrjedhojë e negociatave, Kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit. Nëse sipas dokumentit në fjalë kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit, atëherë, KDI kërkon nga Qeveria të shpjegojë si erdhi deri te rritja e çmimit të zgjatjes së kontratës nga 1 milion EURO në ditë në 4 milionë në ditë”, ka deklaruar Metushi Krasniqi.

Sipas Metushi Krasniqit, kontrata përmban edhe një klauzolë e cila parasheh dëmin e vonesave prej 40.000 euro, e që nëse zbërthehet në 53 milionë, do të thotë se kjo kontratë ka pasur vonesa përafërsisht 3.6 vite.