FOTO IKPAShK

 Katër raste me grip të derrit në Kosovë

Instituti i shëndetit Publik në Kosovë përmes një komunikate tha se katër raste në Kosovë janë të paraqitura me gripin A H1N1.

Sipas tyre  pacientët kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

“Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke intensifikuar punën në terren.Nga 1 Tetori i vitit 2018 deri sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 24.725 raste të dyshimta në grip, 4.155 raste me infeksione respiratore akute dhe 29 raste me infeksione të rënda respiratore akute”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Rastet e raportuara në Klinikën Infektive sipas institutit janë nga të gjitha komunat e Kosovës, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Tutje në komunikatë thuhet se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen akoma që të vaksinohen. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje te rasteve të hospitalizuara.

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve.