Katër persona të ndaluar brenda 24 orëve në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se brenda 24 orëve ka ndaluar 4 persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orëve, në katër raste të ndara.

‘’Nga Departamenti për Krime të Përgjithshme, janë ndaluar tre të dyshuar për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Zjarrëvënie’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’. Ndërsa, nga Departamenti për Krime të Rënda, është ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ ‘’, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Më tutje në komunikatë thuhet se, prokuroria brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarve do të paraqet kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit, pasi duke pasur parasysh rrethanat e kryerjes së veprave penale, masat e tjera nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale.