Katër fëmijët e ish-anëtarit të bordit të Telekomit, vazhdojnë të punojnë në ndërmarrje

Katër fëmijët e Osman Ejupit, ish-anëtar i bordit të Telekomit të Kosovës, po vazhdojnë të punojnë në këtë ndërmarrje publike.

Kjo deri sa të merret ndonjë vendim i gjykatës se punësimi i tyre është i jashtëligjshëm. Në anën tjetër, babai i tyre Osman Ejupi kishte dhënë dorëheqje pas lajmeve për punësimin e fëmijëve të tij.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në DebatPernime në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, tha se ky anëtar i bordit në fakt kishte të punësuar pesë anëtarë të familjes.

Ai shtoi se familjarët e tij janë të punësuar sipas rregullave dhe për këtë arsye nuk mund të largohen tani nga puna.

“Nepotizmi është dukuri negative. Është dalë ka dhënë dorëheqje. Fëmijët mbesin sepse procedurat janë bërë me rregull. Tash për tu larguar nga puna ata fëmijë duhet me u konfirmu nga gjykata që ka pasur shkelje. Policia është duke e hetuar, është duke u marrë me atë punë. Nuk kemi drejtë ligjore me i largu”, tha ai.

Ai po ashtu u zotua se nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në ndërmarrje apo ministri.

“Asnjë person nuk e kam në ndërmarrje publike, as në ministri hiq asnjë”, tha ai.

Në shkurt të këtij viti, Koha.net kishte raportuar se një anëtar i bordit të Telekomit kishte të punësuar katër fëmijë në këtë ndërmarrje.

Më katër mars të këtij viti, Osman Ejupi dha dorëheqje morale nga bordi i kësaj ndërmarrje.

Komentin e Ministrit Lluka mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: