Katër 17 Shkurtat Nëpër Gjykata të Ramush Haradinajt

Ish-Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jetë në Kosovë për të shënuar 9 vjetorin e pavarësisë.

Kjo është hera e katërt që ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit nuk do festojë pavarësinë për shkak të vendimeve dhe kërkesave të prokurorive  e gjykatave ndërkombëtare.

Haradinaj në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të 2008-ës nuk kishte qenë në Kosovë për shkak se ishte duke u gjykuar në Hagë për krime të luftës.

Ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës dy muaj më vonë, në prill të 2008-ës.

Megjithatë, më vonë Gjykata e Hagës kishte vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin e Haradinajt.

Rigjykimi ia mohoi Haradinajt për dy vjet rresht praninë në Kosovë gjatë përvjetorëve të pavarësisë.

Ai qëndroi në Hagë në vitet 2011 dhe 2012 duke rifituar përsëri lirinë dhe duke u kthyer në Kosovë në nëntor të 2012-ës.

Për 4 vjet me radhë Haradinaj festoi përvjetorët në liri, derisa policia franceze e arrestoi më 4 janar në bazë të një fletarresti të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Në përvjetorin e nëntë të shpalljes së pavarësisë, Haradinaj e ka të ndaluar ta lëshojë Francën dhe po qëndron atje, derisa ky shtet të vendosë rreth kërkesës për ekstradim të Serbisë.

Gjykata franceze vendimin për Haradinajn pritet ta marrë më 2 mars.

http://kallxo.com/haradinaj-mbetet-ne-france/

Sot në urimin e tij për 9 vjetët e shtetësisë kosovare, Kryeministri Isa Mustafa në veçanti ia uroi Haradinajt këtë ditë,

http://kallxo.com/mustafa-urim-per-haradinajn/

Nga 9 vjet shtet, ish-kryeministri dhe komandanti i Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj i ka përjetuar në vendlindjen e tij vetëm 5.