Kastrati shpreh keqardhje pas refuzimit që KQZ i bëri kërkesës së tij për referendum për reforma në arsim

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili e ka hedhur poshtë kërkesën e tij për referendum për reformat në arsim.

“Më vjen keq që kjo kërkesë e cila ishte në përputhje të plotë me frymën e kushtetutës për përfshirjen aktive të qytetarëve në vendime të rëndësisë së veçantë nuk po mund të organizohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor me arsyetimin që nuk ka ligj të veçantë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Tutje Kastrati ka thënë që humbja e kësaj mundësie nuk i kontribuon demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve në këtë Komunë.

“Konsideroj që është një rast i humbur, me të cilin do të mund t’u tregonim qytetarëve që mendimi i tyre ka rëndësi, demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, dhe ata përfshihen në vendimmarrje”, ka thënë ai.

Sipas tij refuzimi i KQZ-së nuk do ta zmbrapsë reformën në arsim të cilën ai e ka konsideruar jetike.

“Reforma në arsim në Komunën e Kamenicës është jetike për rritjen e cilësisë në këtë sektor, e më gjerë. Refuzimi i referendumit nga KQZ nuk më zmbraps nga kjo reformë. Ne do të organizojmë takime nëpër çdo fshat e lagje që përfshihen në reformë”, ka thënë tutje ai.

Kastrati nuk ka kursyer kritikat edhe për qeverisjet e kaluara në Kamenicë të cilat sipas tij kanë qenë të mira për këtë Komunë.

“Ne jemi në politikë dhe kemi marrë detyra për vendime të mëdha e të vështira. Po të qeverisnin më mirë në të kaluarën, do ta kishim lluksin e ndryshimit gradual. Asnjë zyrtar publik nuk guxon të rrijë indiferent përderisa fëmijët tanë i nënshtrohen një niveli kaq të ulët të edukimit”, ka thënë tutje ai.

Kryetari i Kamenicës edhe njëherë ka shprehur keqardhjen e tij për vendimin e KQZ-së.

“Më vjen keq që KQZ e bëri të pamundur që qytetarët të shpreheshin për nevojën urgjente që ka kjo popullatë për këto ndryshime, sidoqoftë ne jemi të vendosur që bashkë me bashkëpunëtorët e jashtëm të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme në këtë sektor”, ka theksuar ai.

Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati për organizimin e referendumit për reformën e arsimit në këtë komunë.

Ditë më parë, Qëndron Kastrati paralajmëroi për një reformë në arsimin e Kamenicës, e cila, nëse do të ndodhte, do të linte shumë mësimdhënës pa punë.

https://kallxo.com/kastrati-paralajmeron-reforme-ne-arsim-e-cila-pritet-te-lere-shume-mesimdhenes-pa-pune/

www.kallxo.com