Kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Foto: Facebook

Kastrati paralajmëron reformë në arsim, e cila pritet të lërë shumë mësimdhënës pa punë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka deklaruar se do ta organizojë një referendum për reformimin e arsimit në komunën që udhëheq ai.

Ndonëse i pari i Kamenicës thotë se kjo reformë është në të mirë të arsimit në këtë komunë, ai e pranon se reforma mund të lërë pa punë një pjesë të mësimdhënësve aktualë.

“Të premten i kam nisur KQZ-së kërkesën për organizim të referendumit konsultativ për reformë në arsim”, shkroi kreu i Komunës së Kamenicës në “Facebook”.

Vendimet që kjo komunë do t’i marrë për arsimin, Kastrati thotë se duhet të përfshihen edhe qytetarët.

“Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim. Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme”, shkruan tutje kreu i Kamenicës.

Ai beson se reforma në arsim është e domosdoshme, por, siç ka shpjeguar në dokumentet që i ka bashkangjitur në postimin e tij, reforma do të lërë pa vende pune një pjesë të mësimdhënësve.

“Kjo reformë, fatkeqësisht, nxjerrë nga procesi mësimor dhe vendi i punës një pjesë të mësimdhënësve, por ne jemi kujdesur që të gjejmë forma që disa prej tyre që të angazhohen në mësime plotësuese, kurse të tjerët të paguhen me 70-80% të pagës deri në pensionim apo angazhim të ndonjë pune tjetër”, thuhet në letrën që ai ia ka dërguar KQZ-së.

Kastrati beson se nëpërmjet kësaj reforme në arsim, Kamenica do të jetë shembull për komunat tjera në Kosovë.

“Duke e ditur shqetësimet e mospajtimet eventuale me këtë reformë, të bindur se vetë procesi i diskutimeve dhe vendimmarrjës së përbashkët mbi çfarë është interesi publik për të ardhmen e Kamenicës do të prodhoj reformën më të mirë, ne kemi vendosur që të kërkojmë nga KQZ që të organizoj një Referendum Konsultativ në të gjithë Komunën e Kamenicës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, që nga ardhja në krye të kësaj komune, ai bashkë me Drejtorin për Arsim në Kamenicë kanë nisur hulumtimin për të parë gjendjen e arsimit në komunën e Kamenicës.

“Si përfundim, rezultatet nga terreni flasin për problemet që kërkojnë adresim dhe veprim të menjëhershëm: numri i vogël i nxënësve në klasa, mungesa e mësimdhënësve me shkollim adekuat për lëndët e kërkuara, mungesa e kabineteve, bibliotekave dhe sallave sportive”

Sipas tij, këto masa do të ndikojnë në cilësinë në arsim por edhe në administrimin e shkollave.

“Kjo reformë është perspektiva për të cilën do të punojmë. Kjo reformë, për mua është më shumë sesa qeverisje, është kauzë për të cilën kemi punuar me seriozitet. Andaj, së bashku mund të vendosim për të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi”, deklaroi ai.

Më poshtë është postimi i plotë i tij në “Facebook”:

Publiée par Qëndron Kastrati sur Lundi 20 mai 2019