Karateisti në krye të Federatës së Notit të Kosovës

Sportistët e rinj kosovarë që kanë zgjedhur notin si sport gjenden nën ombrellën e një Federate që po udhëhiqet nga dikush që nuk dihet se a di të notojë.

Në fakt, Imer Rama, kryetar i Bordit të Federatës së Notit të Kosovës është me profesion karateist.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ që u mor me notin dhe problemet e tij në vend u përmend fakti se institucioni kryesor për këtë sport nuk po udhëhiqet nga një profesionist i fushës.

Enver Hajredini që më parë ishte selektor i FNK-së ndërsa tash është trajner në klubin e notit ‘Termopan’ thotë se Rama nuk ka dhënë asnjë kontribut në not.

“Unë edhe herën e parë kam qenë kundër mandatit sepse është karatist, merret me karate tash është anëtar i bordit të Komitetit Olimpik. Unë Imer Ramën e kam pasur shok të mirë. Imer Rama veç le të thotë kontributin më të vogël që e ka bërë në sportin e notit unë atëherë do ti kërkoj falje”, tha Hajredini.

Pjesëmarrës në debatin përballë Jeta Xharrës, profesionistë të fushës thonë se Rama e ka kapur këtë federatë dhe po ndikon madje edhe në të ardhmen e notarve kosovarë.

Imer Rama nuk mori pjesë në debatet e organizuara për këtë çështje.

Në hulumtimin e ‘Jeta në Kosovë’, flitet për parregullsitë në udhëheqësinë e Federatës së Notit të Kosovës dhe akuza të tjera për diskriminime ndaj notarëve të rinj kosovarë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: