Kapen rreth 1000 litra pije kontrabandë nga Serbia

Rreth 1 mijë litra pije dhe gjëra tjera ushqimore janë kapur teksa kontrabandoheshin nga Serbia.

Njësitet e doganës në Mitrovicë kanë lajmëruar se kanë ndaluar një furgon i cili nuk ka përfillur urdhrin për ndalim dhe ka ikur në drejtim të disa fshatrave te Mitrovicës.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë tentimit për të ikur, një automjet tjetër ka penguar zyrtarët doganorë duke tentuar të ndalojë oficerët me veturën e tij.

“Pas pothuajse një ore është arritur të ndalohet furgoni dhe në të janë gjetur sasi e madhe e pijeve te kontrabanduara nga Serbia dhe gjërave tjera ushqimore mbi 1000 litra”. thuhet në një njoftim të Doganës

Sot, zyrtarët e Hetimeve dhe Antikontrabandës së Doganës së Kosovës kanë arrestuar një person M/SH/K i moshës 25 vjeç, për shkak se ka tentuar të pengojë zyrtarët e Doganës së Kosovës atje.

Personi tjetër duke përdorur automjet me targa të rreme ka penguar në vazhdimësi veturën zyrtare të Doganës së Kosovës, ndërsa që sot është identifikuar personi edhe vetura në Prishtinë.

Sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë personi është dërguar në paraburgim, ndërsa që edhe ngasësi i furgonit do t’i nënshtrohet procedurës penale të ndjekjes.

Përveç veprës së pengimit në detyrë, personi i arrestuar sipas njoftimit ka rezistuar arrestimin dhe ka kërcënuar zyrtarët e pranishëm që kanë arritur ta vejnë nën kontroll menjëherë.

Malli dhe dy automjetet janë ndalur për procedim të mëtejmë.