Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare

Kandiq: Bashkëpunimi i Domosdoshëm për Gjetjen e të Zhdukurve

Kryesuesja e Koalicionit për KOMRA , Natasha Kandiq ka bërë thirrje për veprim nga liderët e Ballkanit Perëndimor rreth drejtësisë tranzicionale.

Ajo i ka dhënë nota pozitive udhëheqësisë së Kosovës, përkatësisht Presidentit Hashim Thaçi për iniciativën e tij të themelimit të Komisionit për Gjetjen e së Vërtetës dhe Pajtim.

Megjithatë ajo konsideron se iniciativat vetanake mund të jenë të suksesshme me mbështetje dhe bashkëpunim rajonal.

Ndërkaq , për sa i përket Serbisë ajo vlerësoi se provokimet e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës, përfshirë fletëarrestin ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të ndalen.

“Shpallja në kërkim e Ramush Haradinajt është veprim politik. Gjykata franceze është institucion i pavarur dhe ne besojmë se do të udhëhiqen nga faktet”, tha Kandiq.

KOMRA është komision rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001, për themelimin e së cilës angazhohet Nisma për KOMRA.

Në kuadër të kësaj iniciative janë organizuar edhe konferenca në vendet e rajonit si Serbia , e Kosova dhe pritet të organizohet një e tillë edhe në Kroaci.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare për Kosovë, shprehu shqetësim për funksionimin e ligjeve për viktimat e luftës në Kosovë.

“Nëse vazhdohet me këtë tempo është e qartë se shumica e viktimave nuk do ta shohin drejtësinë. Në Kosovë janë futë disa ligje që u garantojnë familjeve të viktimave një lloj dëmshpërblimi, por një hulumtim i FDH-së ka gjetur se shumë familje nuk kanë mundur të përfitojnë nga kjo e drejtë”, tha Blakaj.

Koalicioni për KOMRA-n ka dalë me rekomandime që kanë të bëjnë me hapjen e dokumenteve dhe ofrimin e dëshmive  për viktima të luftës në mënyrë sa më të shpejtë  që sipas tyre garanton mospërsëritje të krimeve dhe themel të ndërtimit të paqes.