Kandidatja humb ‘luftën’, për punësim në Agjensinë e Statistikave

L.H. kandidate e cila kishte aplikuar në konkursin e hapur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe që nuk ka mundur ta fitoj pozitën shkaku i shkeljes së kritereve të konkursit nga ky Agjencion, kishte arritur që përmes ankesave të saj të anuloj procedurën e rekrutimit.

Por, nuk u mjaftua me kaq, pasi L.H., si palë e pakënaqur me vendimin për anulim të konkursit të ASK-së kishte bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ku ka kërkuar që ky Këshill të ndërmerr inspektimin dhe mbikëqyrjen e fazave të rekrutimit, fazën e testit me shkrim, fazën e testit me gojë, kualifikimet, përvojën e punës dhe rizgjedhjen e kandidatit të suksesshëm në vendin e punës “Zyrtar i lartë i Regjistrit të Popullsisë”.

L.H., tregon për KALLXO.com, se pas hulumtimeve të bëra për kandidaten e përzgjedhur, kishte paraqitur ankesë në ASK, si palë e pakënaqur duke pretenduar se ASK ka përzgjedhur një kandidate tjetër, e cila nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit.

Një ndër kriteret e konkursit për këtë pozitë ishte që kandidatët të kenë Diplomë universitare në Shkenca kompjuterike.

Këtë kriter, ankuesja L.H. e kishte plotësuar, kurse kandidatja e suksesshme kishte të përfunduar Fakultetin Ekonomik, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë.

L.H., sërish ka raportuar në KALLXO.com, pasi që KPMSHCK  e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e L.H.

“Tek vendimi i pranuar sot nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës asnjë prej pyetjeve të bëra në ankesën e datës 26.11.2018 nuk më është përgjigjur, vetëm ka qenë një përshkrim i Vendimit nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave (Përshkrimi i Anulimit Konkursit), por asnjë kërkesë që kam shprehur në ankesë nuk më është dhënë në mënyrë që të vërtetohet edhe refuzimi i ankesës sime”, thotë ajo.

Sipas vendimit për refuzim të ankesës të siguruar nga KALLXO.com thuhet se kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstaruar se Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave i ASK-së ka nxjerr vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e ankueses si të bazuar në ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës ku thuhet se “Vendimet e komisionit për zgjedhjen e kontesteve dhe ankesave janë të detyrueshme për institucionet e administratës publike dhe për të gjitha palët përkatëse”.

Gjithashtu, në vendim thuhet se kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se KZKA i Agjencisë së Statistikave të Kosovës me rastin e nxjerrjes së vendimit për anulimin e konkursit ka vepruar në pajtim me dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Në vendim thuhet se “Refuzohet” si e pabazuar ankesa e parashtruar nga ankesa e L.H.

Pas marrjes së këtij vendimi. L.H. ka thënë se me hapjen e konkursit të ri në ASK për këtë pozitë do të konkurroj sërish me shpresën që ASK nuk do të ndryshoj kriteret e konkursit.