Ilustrim

Kandidatët e papranuar në konkursin për logopedë në QKUK ankohen për parregullsi

E hëna e 11 marsit ishte dita kur 35 kandidatë iu nënshtruar testit në konkursin e hapur muajin e kaluar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për dy logopedë për Klinikën e Otorinolaringologjisë.

Testimi ishte paraparë të fillojë në orën 10:00 por sipas informatave të KALLXO.com kishte filluar njëzet minuta me vonesë.

Një grup i madh i kandidatëve janë ndarë të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit prandaj ata i janë drejtuar drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) me një ankesë të cilën e posedon KALLXO.com.

Ankesa është nënshkruar nga 14 kandidatë.

Në ankesë thuhet se personat me më së shumti pikë janë të lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e komisionit Ilijasa Fazliu.

Kandidatët thonë se rezultatet e testit kishin dalë vetëm një orë pas përfundimit të testimit.

“Rreth një orë pas mbajtjes së testit në kohë rekorde është publikuar lista me të përzgjedhurit për provimin me gojë. Personat që i paraprijnë kësaj liste janë përzgjedhur në mënyrë të padrejtë për arsye se të gjithë këta persona kanë një afërsi me anëtarin e komisionit Iljasa Fazliu”, thuhet në ankesë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe anëtarin e komisionit Iljasa Fazliu për ta pyetur për pretendimet e ankuesve.

Ai e ka pranuar se kandidatja që është e para në listën e kandidatëve që e kanë kaluar testin ka qenë praktikante në klinikën e tij private.

“Ajo ka qenë në praktikë te unë për tre muaj, por kjo nuk ka lidhje asgjë. Kjo nuk ka lidhje me mua për konflikt interesi. Konkursi ka qenë i rreptë dhe s’ka lidhje me konflikt interesi”, tha Fazliu shkurt për KALLXO.com.

Ai nuk ka dashur të japë më shumë detaje, por ka thënë se “gjithmonë ankohen ata që nuk pranohen e të njëjtit kanë të drejtën e ankesës”.

Kryesuesi i komisionit për logopedë në konkursin e QKUK-së është Shpend Haxhibeqiri. Në një përgjigje për KALLXO.com ai ka folur për procesin e konkursit.

Duke e komentuar kandidaten e cila doli e para në listën e kandidatëve që e kaluan fazën e parë, ai tha se nuk ishte në dijeni për të por paralajmëroi se do të kërkojnë nga anëtari i komisionit deklaratë me shkrim.

“Unë nuk e di që ka punu ajo te Iljasa Fazliu. Faleminderit për informatë, ne kemi me lypë deklaratë me shkrim nga anëtari i  komisionit, por unë sa e di, te ky zotnia kishin punu dikund 20 veta prej këtyre që janë brenda, 20 veta kanë punu në ordinancën e tij private”, tha Haxhibeqiri.

I pyetur se a mund kjo të paraqesë konflikt interesi, ai e mohoi ndërsa shtoi se nuk mund t’ia ndalojë askujt që të aplikojë në konkurse publike.

“Nuk mundet me qenë konflikt interesi sepse nuk mundesh askujt me ja mohu konkurrimin. Kjo është QKUK dhe kanë pasur të drejtë të gjithë të konkurrojnë. Ne i kemi krejt organet juridike, çdo ankesë e shqyrtojmë, çka do që ka ne do ta shqyrtojmë gjatë të enjtes”, tha Haxhibeqiri.

Tutje ai ka thënë se gjithçka në konkurs ka shkuar sipas planit dhe pyetjet në testim kanë qenë profesionale dhe administrative.

“15 pyetje i kanë pasur profesionale dhe 10 pyetje administrative. Nëse dikush nuk është në gjendje me i plotësu 15 pyetje profesionale të profesionit të cilin e ushtron, atëherë nuk e di. Dhe nga 10 pyetjet administrative, tri kanë qenë logjike. Gjithçka ka shkuar sipas planit dhe për këtë konkurs kanë qenë prezent edhe sindikata por edhe personeli i QKUK-së”, tha ai.

Nga ana tjetër Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com.

KALLXO.com do të vazhdojë ta përcjellë procesin e punësimit të logopedëve në QKUK.