Kanalizimi që dëmtoi asfaltin e fshatit Loxhë të Pejës Foto: KALLXO.com

Kanalizimi dëmtoi asfaltin në fshatin Loxhë të Pejës - VIDEO

Rruga në fshatin Loxhë të Pejës e cila ishte asfaltuar në vitin 2015, ka katër vite që është dëmtuar pas kyçjes në kanalizim dhe nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme.

Komuna e Pejës thotë se janë në pritje të shpalljes së tenderit për rregullimin e kësaj rruge.

Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në mes të rrugës së asfaltuar, e cila lidhte fshatrat Loxhë – Kërstovc – Resujë – Qollapek në komunë të Pejës, ende vazhdon të jetë i dëmtuar.

Fatmir Shala nga fshati Loxhë, tha për KALLXO.com se përgjatë këtyre katër viteve janë ankuar në komunë, por askush nuk ka ndërmarrë diçka për ta rregulluar.

Ai tha se në zgjedhjet e fundit, kryetari Gazmend Muhaxherri u kishte premtuar banorëve që do të rregullonte këtë rrugë nëse do i fitonte zgjedhjet por sipas tij, këtë premtim nuk e ka realizuar.

“Mund të them se kjo rrugë është njëra ndër më të shkatërruarat në Kosovë. Krejt kerret e banorëve të Loxhës janë të dëmtuara prej kësaj rruge. Kjo është keq edhe për ambientin se ka pluhur shumë. Edhe nxënësit që shkojnë në shkollë gjithë ditën thithin këtë pluhur. Kjo rrugë është e ngarkuar shumë edhe për shkak të shtëpive, por prapë nuk po ndërtohet”, ka thënë ai.

Kanalizimi që dëmtoi asfaltin e fshatit Loxhë të Pejës Foto: KALLXO.com

Lidhur më këtë çështje, Drejtoresha për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, Xhevahire Kelmendi ka thënë se kjo rrugë pritet të rregullohet me financim të komunës së Pejës.

“Sa i përket fshatit Loxhë unë personalisht kam shku dhe e kam vizitu këtë rrugë dhe kam marrë iniciativën që kjo rrugë të rregullohet sa më parë, dhe shumë shpejt do të dorëzojmë të gjitha procedurat për tenderim”, ka deklaruar Kelmendi.

Në anën tjetër, Fillojetë Konjuhi, Zyrtare e Lartë për Media në Kabinetin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, ka sqaruar për KALLXO.com se projekti i ndërtimit të rrugës që lidh këto katër fshatra, ishte financuar nga kjo ministri.

Ajo tregoi se punimet në këtë rrugë, kishin filluar me 14 gusht të vitit 2014 dhe kishin përfunduar me 26 gusht të vitit 2015.

“Rruga në fjalë është lokale dhe si e tillë është në kompetencë të komunës së Pejës. Prandaj çdo intervenim i mëtejmë, pas përfundimit të punimeve nga MIT, është kompetencë e komunës në fjalë”, ka thënë Konjuhi.