Kamp Basketbolli për të Rinjtë në Gërmi

Sot ka filluar turneu i basketbollit për junior i organizuar nga OSBE në Kosovë.

Zëvendës shefja e OSBE-së në Kosovë Paivi Nikander, tha se një organizim i tillë do të bashkojë basketbollistet e rinj.

“Këtu shoh vullnetin e atleteve, sportistëve të rijnë që të mblidhen, të trajnohen dhe të kalojnë kohë së bashku, të komunikojnë me njëri tjetrin, të mësojnë e të argëtohen së bashku, që është një shenjë jo vetëm e dashurisë për sportin por edhe tolerancës të qenit të hapur”, tha ajo.

Ajo tha se aktivitetet e tilla dërgojnë në vullnetin për bashkëpunim të ndërsjellët në mes të komuniteteve.

“Besoj që angazhimi i përbashkët i të gjithëve me vullnetin dhe entuziazmin rinor të  qoj drejt një qëllimi të përbashkët dhe zotimit për një dialog të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë përtej çfarëdo identiteti fetar, komunitar ose gjuhësorë që janë elemente të zhvillimit personal por edhe zhvillimit të së ardhmes së vendit ku jetojmë”, shtoi ajo.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu tha se është hera e parë që organizohet një kamp i tillë përmes së cilit parku i Gërmis shfrytëzohet në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

kamp basketbolli 1

“Vetëm me kësi lloj pune mund të sigurohemi që çdo qytetarë i këtij vendi të ndihet i barabartë dhe i pa diskriminuar”, tha Sejdiu.

Bekim Maxhuni trajner në kamp tha do të mundohen që këto ditë t’i shfrytëzojnë për të mësuar teknika të mira të lojës.

“Shpresojmë që ta shfrytëzojmë  këtë trajnim në mënyre më të mirë tët  mundshme, sepse është kampi i parë i këtij niveli që mbahet në Kosovë”, tha ai.

Ky kamp i basketbollit do të jetë nikoqir i basketbollistëve të rinj të moshave 14-15 vjeçe në pjesën e  parë e cila do të zgjasë 5 ditë, ku me 24 qershor do të jetë gara përfundimtare. Ndërkaq me 25 qershor do të filloj grupi i dytë i basketbollistëve 12-13 vjeçare i cili do të zgjasë deri me 30 qershor.

Në këtë kamp marrin pjesë basketbollist nga Gjakova, Shtërpca, Mitrovica, Prizreni dhe Prishtina.